Deputeti dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, i pyetur nëse pranimi i propozimit francez dhe i Kornizës Negociuese me BE-në mund të konsiderohet sot një vendim i gabuar, u përgjigj se ajo ishte oferta më e favorshme për Maqedoninë dhe se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë propozim më i mirë.
Të lidhura
None found
Kovaçevski rikujtoi se opozita e asaj kohe, e cila sot është në pushtet, kërkoi mbështetjen e qytetarëve me zotimin se do të negocionte një kornizë të re dhe do të siguronte garanci, si edhe kushte të tjera për pakicën maqedonase në Bullgari.
“Koha po kalon. Ata thonë se po zhvillojnë bisedime, ndaj mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati përfundimtar. Megjithatë, vlerësoj se objektivi final i Maqedonisë duhet të jetë anëtarësimi në BE. Këtë e dëshmojnë rritja e standardit të jetesës në vendet që po bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe fakti se qytetarët tanë largohen drejt tyre për të punuar.
Mjafton të shihet se çfarë po ndodh me numrin e fëmijëve nëpër shkolla. Në shumicën e qyteteve, sot në klasën e parë të arsimit fillor kemi më pak nxënës sesa numri i fëmijëve të lindur gjashtë vjet më parë”, deklaroi Kovaçevski për “Sitel”.
Sipas deputetit, dy shtete fqinje kanë përgjegjësinë të ndërtojnë dhe të ruajnë marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Polonia dhe Gjermania, apo Franca dhe Gjermania, do të vazhdonin të komunikonin si dikur.
Në një rast të tillë, BE-ja nuk do të mund të ekzistonte. Qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë, por edhe ato të Maqedonisë dhe Greqisë ose Shqipërisë, kanë detyrimin të krijojnë një narrativë dhe një bashkëpunim që i qetëson marrëdhëniet mes qytetarëve dhe shteteve. Kjo çështje nuk duhet t’u lihet strukturave që nuk dëshirojnë raporte të mira ndërmjet vendeve”, nënvizoi Kovaçevski.
