Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot ceremoninë e pranimit të letrave kredenciale të ambasadores së re të Konfederatës Zvicerane në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin.
Të lidhura
None found
Me këtë rast, Haxhiu i uroi ambasadores mirëseardhjen në Kosovë dhe mbarësi në detyrën e saj diplomatike. Ajo shprehu bindjen se mandati i Cattin Hennin do të kontribuojë në thellimin e mëtejshëm të raporteve mes dy vendeve.
“Kosova e çmon thellë miqësinë dhe mbështetjen e Zvicrës, e cila ka qenë pranë qytetarëve tanë në kohët më të vështira dhe vazhdon edhe sot përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, zhvillimor dhe të sigurisë”, deklaroi U.D. Presidentja Haxhiu.
Gjatë takimit, ajo veçoi gjithashtu rëndësinë e mërgatës kosovare në Zvicër për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve.
“Një vend të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës e ka mërgata jonë atje, e cila ka dhënë kontribut të çmuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të të dyja vendeve”, u shpreh U.D. Presidentja.
Në përmbyllje, U.D. Presidentja Haxhiu i garantoi ambasadores Cattin Hennin gatishmërinë për bashkëpunim të plotë, me synim avancimin e partneritetit mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
