Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, me të cilin bisedoi për gjendjen e sigurisë, zhvillimet e fundit dhe nevojën për ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit u nënvizua se Bullgaria, si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm për Kosovën.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se të dyja palët çmuan raportet e mira mes Kosovës dhe Bullgarisë, duke vënë theksin te nevoja për vijimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorët me interes të përbashkët.
Mbështetja e Bullgarisë për Kosovën në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike ishte një tjetër çështje e vlerësuar gjatë bisedës.
Gjithashtu, u veçua roli i Bullgarisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes pjesëmarrjes në KFOR. Ky kontribut u cilësua si dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm bullgar ndaj stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e të dyja vendeve konfirmuan vullnetin për të vazhduar angazhimin e përbashkët dhe për ta çuar më tej bashkëpunimin Kosovë-Bullgari në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
