Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka përcjellë urimet e tij për Bekim Sejdiun pas marrëveshjes për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Berisha uroi gjithashtu kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur. Sipas tij, kjo marrëveshje është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në mesazhin e tij, kreu i PD-së e vlerësoi Bekim Sejdiun si një personalitet të shquar të Kosovës, me përvojë në jurisprudencën kushtetuese dhe diplomaci. Sejdiu ka qenë ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ish-ambasador i Republikës së Kosovës në vende të rëndësishme.
“Zoti Bekim Sejdiu, President i Kosovës”, shkroi Berisha në nisje të postimit të tij.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, zoti Albin Kurti, si dhe z. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, firmosën marrëveshjen për të zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës zotin Bekim Sejdiu, një personalitet të shquar të Kosovës në fushën e jurisprudencës kushtetuese, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe në fushën e diplomacisë, ish-ambasador i Republikës së Kosovës në vende të rëndësishme”, thuhet në postimin e tij.
Berisha deklaroi se, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgonte Sejdiut urimet më të përzemërta për marrjen e detyrës së lartë. Ai i uroi sukses dhe mbarësi në këtë funksion, në realizimin e integrimit të Kosovës në BE e NATO, si dhe në forcimin e kontributit të saj për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Gjithashtu, me këtë rast uroj përzemërsisht Kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja, dhe kryetarin e LDK-së, z. Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur dhe për përzgjedhjen e tyre dinjitoze në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, përfundoi Berisha.
