Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht udhëzimin: Policia mund ta mbajë patentë-shoferin deri në tetë ditë

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë. Për këtë arsye, ajo e ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ (Ministria e Punëve të Brendshme) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes.

Ky paragraf parashikonte që patentë-shoferi të tërhiqej vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit.

Të lidhura

None found

Vendimi është marrë nga Kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të çështjes juridike të konfliktit administrativ, pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Kolegji e ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ.

Sipas Gjykatës, tërheqja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit përbëjnë dy institute të veçanta juridike dhe nuk mund të trajtohen si të njëjta gjatë zbatimit të tyre.

Duke u bazuar në nenin 244 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka arritur në përfundimin se policia mund ta mbajë përkohësisht patentë-shoferin për jo më shumë se tetë ditë. Rrjedhimisht, lidhja e tërheqjes së dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë ose dymbëdhjetë muaj, bie ndesh me ligjin.

Gjykata Supreme ka theksuar gjithashtu se një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat që përcaktohen me ligj dhe as të vendosë kufizime të tjera pa mbështetje ligjore.

Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij Udhëzimi Administrativ është refuzuar si e pabazuar. Sipas vlerësimit të Gjykatës, këto dispozita kanë natyrë procedurale dhe organizative, pasi caktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e dokumentit dhe përcaktojnë detyrimin për lëshimin e vërtetimit mbi marrjen e përkohshme të patentë-shoferit, pa kaluar kufijtë e autorizimeve ligjore, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.


Shtuar më 30.10.2026 20:35