Pas kritikave të forta të VLEN-it për glorifikimin e kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, ka hequr nga rrjetet sociale postimin që shkaktoi debat dhe ka kërkuar falje.
Të lidhura
None found
Reagimi i tij erdhi pas tre ditësh heshtjeje, përmes një deklarate ku Kitanoviq shprehet se i kërkon falje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrave, të cilët, sipas tij, u përfshinë në një përplasje politike për shkak të kësaj çështjeje.
Ai deklaron se është i gatshëm të përgjigjet për veprimet e veta, por thekson se nuk ka pasur asnjëherë synim të fyejë apo të poshtërojë ndonjë popull, fe ose komunitet etnik.
Shkak për reagimet u bë një fotografi e publikuar nga ai, ku Ratko Mlladiq shfaqej përkrah figurave të historisë serbe, përfshirë edhe Drazha Mihajlloviqin. Fotografia shoqërohej me mbishkrimin „Gjeneralët e ushtrisë qiellore“.
„Jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi për çdo fjalë timen. Por nuk do të mbaj përgjegjësi për manipulimet e të tjerëve me fjalët e mia. Nuk do të pranoj që tërheqja e postimit tim të shndërrohet në pranim të diçkaje që nuk e kam bërë“, ka shkruar Kitanoviq.
Ai ka shtuar se nuk do të lejojë që sjellja e tij njerëzore të shihet si dobësi, ndërsa ka theksuar se përmes tij nuk do të lejojë të ofendohet as populli dhe as partia e tij.
