Sali Berisha është pajisur me vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tashmë pritet vetëm të marrë pasaportën për të nisur udhëtimin drejt SHBA-së.
Burime pranë Partisë Demokratike i kanë thënë gazetares së Top Channel, Elda Menga, se kreu i PD-së është informuar për miratimin e vizës amerikane.
Të lidhura
None found
Sipas të njëjtave burime, Berisha mund të paraqitet gjatë paradites së së martës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për të tërhequr pasaportën.
Njoftimi për pajisjen me vizë u bë i ditur vetëm pak orë pas deklaratës së Berishës, i cili tha publikisht se dokumentet për udhëtimin ndodheshin ende në ambasadën amerikane dhe se nuk kishte marrë asnjë njoftim për pasaportën.
Gjatë pyetjes nëse e kishte marrë pasaportën dhe nëse kishte parashikuar takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, Berisha u shpreh se deri në atë moment nuk kishte organizuar asnjë takim të tillë.
Ai ka bërë të ditur se synon të udhëtojë drejt Teksasit, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë të republikanëve amerikanë si pjesë e delegacionit të Unionit Demokratik Ndërkombëtar.
Kreu i demokratëve ka mohuar gjithashtu që të ketë takime të planifikuara në Departamentin Amerikan të Shtetit. Tërheqja e pasaportës gjatë së martës do t’i hapte rrugë udhëtimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara.
