Friedrich Merz ka dalë fuqishëm në mbështetje të shtimit të konsiderueshëm të fondeve për mbrojtjen dhe të procesit të modernizimit të Bundesëehr-it.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për transmetuesin publik ARD, kancelari gjerman hodhi poshtë mundësinë e reduktimit të buxhetit të mbrojtjes dhe të projekteve të reja të armatimit, pavarësisht se një hap i tillë mund t’u linte qytetarëve më shumë hapësirë financiare.
“Çfarë vlere ka edhe pagesa më e mirë për prindërit, nëse humbasim lirinë tonë dhe rrezikohet paqja në Europë?”, deklaroi Merz. Sipas kreut të ekzekutivit, mbrojtja e paqes dhe e lirisë duhet të jetë “prioritet kryesor”, sepse vetëm mbi këto garanci mund të sigurohen kushtet për zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke kritikuar qeveritë paraardhëse, kancelari tha se Gjermanisë i duhet të riparojë mangësitë e grumbulluara në sektorin e mbrojtjes gjatë 15 viteve të fundit. “Bundesëehri nuk është aty ku duhet të jetë. Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi në Gjermani”, u shpreh ai. Megjithatë, Merz nënvizoi përsëri se rinovimi i ushtrisë duhet të realizohet me më shumë efikasitet dhe me shpenzime më të ulëta.
Si dëshmi se prodhimi i pajisjeve ushtarake mund të kryhet me kosto më ekonomike, Merz solli në vëmendje bashkëpunimin me Ukrainën. Ai u pyet gjithashtu për ngjarjen e 4 gushtit në aeroportin e Leipzigut, ku pranë avionëve transportues ukrainas u rrëzua një dron me eksploziv, origjina e të cilit mbetet ende e paqartë.
Kancelari bëri të ditur se qeveria federale do të ndërmarrë reagimin e saj “në ditët në vijim”. Ai shtoi se përgjigjja do të bashkërendohet me Bashkimin Evropian dhe me partnerët e NATO-s.
