Personazhet e njohura në TikTok dhe Instagram në Meksikë po përfshihen gjithnjë e më shumë në konfliktin mes karteleve të drogës, madje disa prej tyre janë vrarë para kamerave.
Të lidhura
None found
Ekspertët vlerësojnë se rrjetet sociale janë shndërruar në një terren të ri për përplasjet, propagandën dhe betejën për ndikim mes organizatave kriminale.
Rasti më i fundit lidhet me César Gastélum, 24 vjeç, i cili u vra në Culiacán, kryeqytetin e shtetit Sinaloa, teksa po zhvillonte një transmetim të drejtpërdrejtë me miqtë jashtë një restoranti.
Sipas të dhënave për ngjarjen, dy persona që lëviznin me motor iu afruan grupit dhe njëri prej tyre qëlloi ndaj influencerit. Sulmi zgjati vetëm disa sekonda, ndërsa kamera vijoi të regjistronte gjithçka.

Vrasja e Gastélum nuk përbën një rast të veçuar. Gjatë viteve të fundit, në Meksikë janë vrarë edhe krijues të tjerë përmbajtjeje në rrethana të ngjashme, duke shtuar dyshimet se lufta mes fraksioneve rivale po shtrihet edhe në komunitetin e influencerëve.
Një tjetër ngjarje që shkaktoi tronditje të madhe ishte vrasja e Valeria Márquez, 23 vjeç, një influencuese meksikane e njohur për përmbajtjet e saj mbi bukurinë.
Márquez u qëllua për vdekje në vitin 2025 gjatë një transmetimi live nga salloni i saj i bukurisë. Transmetimi vazhdoi edhe pas sulmit, duke e bërë rastin një prej episodeve më tronditëse të dhunës ndaj figurave të rrjeteve sociale në Meksikë.
Sipas ekspertëve, influencerët janë bërë pjesë e një përballjeje të re propagandistike mes grupeve kriminale.
Disa prej tyre kanë ndarë materiale që përmbajnë simbole, muzikë ose mënyra jetese të lidhura me fraksione të caktuara. Për kartelet, publikime të tilla mund të perceptohen si shprehje mbështetjeje për një grup kundërshtar.

David Mora, analist i International Crisis Group, ka deklaruar se eliminimi i influencerëve lidhet me përpjekjet e karteleve për të diktuar narrativën publike dhe për të përhapur frikë.
Ai ka theksuar se platformat sociale tashmë përbëjnë një hapësirë të re ku organizatat kriminale kërkojnë ndikim dhe një lloj legjitimiteti.
Të dhënat tregojnë se numri i influencerëve të vrarë në Meksikë është rritur gjatë viteve të fundit.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre ngjarjeve është regjistruar në Sinaloa, zonë e goditur rëndë nga përplasjet mes krahëve rivalë të kartelit të Sinaloas.
Pas arrestimit të Ismael “El Mayo” Zambada, një prej figurave kryesore të kartelit, në rajon nisën përleshje të forta për kontrollin e territorit dhe të ndikimit kriminal.
Në këtë atmosferë të dhunshme, disa figura publike të internetit janë përfshirë në konflikt për shkak të lidhjeve të dyshuara, materialeve që kanë publikuar ose bindjes se mbështesin njërin prej kampeve.
Autoritetet meksikane po verifikojnë nëse pas vrasjeve qëndrojnë urdhra të karteleve, të cilat mund t’i kenë përdorur ato për të goditur kundërshtarë ose për të përcjellë paralajmërime.
Për ekspertët, këto ekzekutime dëshmojnë se grupet kriminale po e përdorin dhunën në një mënyrë të re: përveç eliminimit të rivalëve, edhe për të ndikuar te perceptimi dhe opinioni publik.
