Bekim Rexhepi, ish-zëvendësministër për Transport dhe Lidhje nga radhët e BDI-së, reagoi sot ndaj vendimit për ndryshimin e destinimit të 6 milionë eurove të parashikuara për bulevardin “Hasan Prishtina”.
Të lidhura
None found
Sipas Rexhepit, nuk është e arsyeshme që fondet të përdoren për rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor, ndërkohë që Qeveria promovon vijimin e punimeve në autostradën Shkup-Bllacë.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt të planifikuar më herët dhe jo për një nismë të re apo premtim elektoral. Në vitin 2023, Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit krijuan një komision të përbashkët për përgatitjen e planit urbanistik. Plani u hartua, u dakordua dhe u miratua, ndërsa parashikonte ndërtimin dhe zgjerimin e Bulevardit “Hasan Prishtina”, si një nga lidhjet kryesore të Shkupit me Bllacën dhe Kosovën.
Rexhepi tha se gjatë qeverisjes BDI–LSDM ishin siguruar 6 milionë euro të dedikuara për këtë projekt, i cili sipas tij kishte plan të miratuar dhe financim të garantuar. Megjithatë, Qeveria OBRM-PDUKM–VLEN i ka kaluar këto mjete për një tjetër investim, atë të rrugës nëntokësore në Bulevardin Jugor.
“Në të njëjtën kohë, Qeveria po zhvillon ceremoni për vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë. Pyetja është e qartë: Çfarë vlere ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin vazhdon të jetë në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm?”, deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se nuk mund të ecin paralelisht ndërtimi i autostradës drejt Bllacës dhe heqja e fondeve nga rruga që duhet ta lidhë këtë aks me Shkupin. “Prandaj BDI pyet publikisht: Pse po sakrifikohet Bulevardi ‘Hasan Prishtina’?”, tha Rexhepi.
