Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura nga ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, duke i kthyer në rigjykim vendimet për zjarrin tragjik të 8 shtatorit 2021, ku humbën jetën 14 persona.
Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është bërë publik sot nga Gjykata e Lartë. Në të janë shfuqizuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Tetovës, i datës 16 maj 2025, si dhe vendimi i Gjykatës së Apelit në Gostivar, i 26 nëntorit 2025.
Të lidhura
None found
Me vendimin e Apelit, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga tre vjet burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Sipas Gjykatës së Lartë, vendimet e gjykatave më të ulëta përmbajnë mangësi serioze në arsyetim. Veçanërisht, nuk është sqaruar mjaftueshëm lidhja shkak-pasojë ndërmjet veprimeve të të akuzuarve dhe pasojave të tragjedisë, ndërsa vlerësimi i provave për shkakun dhe përhapjen e zjarrit nuk është bërë në mënyrë të plotë.
Gjykata e Lartë vëren se nuk është përcaktuar qartë se cilat prova kanë shërbyer për përfundimin se Florin Besimi dhe Artan Etemi kanë vepruar si bashkëkryerës. Po ashtu, nuk është argumentuar mbi bazën e cilave prova është konstatuar se ata, në bashkëpunim, nuk kanë siguruar pajisjet e nevojshme kundër zjarrit dhe rrjetin e hidrantëve.
Një nga çështjet kryesore që duhet të vlerësohet në rigjykim lidhet me faktin nëse mungesa e pajisjeve kundër zjarrit shkaktoi shpërthimin e flakëve apo ndikoi në përhapjen e tyre dhe në pasojat e rënda të ngjarjes.







