Vendimi për nisjen e tragetit “Filo Jet” nga Kyrenia, pavarësisht motit të keq, po ngre dyshime të shumta pas përmbysjes së tij, ku humbën jetën 8 persona.
Të lidhura
None found
Katamarani, me 279 njerëz në bord, u largua nga porti në drejtim të Tasuxhusë, në provincën e Mersinit në Turqi, vetëm pasi mori autorizimin për lundrim.
Sipas kryeministrit të administratës turko-qipriote në veri të Qipros, Unal Ustel, autoriteti që mbikëqyr portet fillimisht e kishte ndaluar nisjen e mjetit për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Megjithatë, rreth një orë më vonë, vendimi u ndryshua dhe “Filo Jet” u lejua të nisej.
Problemet nisën pak minuta pasi trageti doli nga porti. Kur ndodhej afërsisht katër milje detare larg bregut, mjeti filloi të mbushej me ujë.
Katamarani u anua rëndë, u përmbys dhe më pas përfundoi në fund të detit, në një thellësi prej rreth 514 metrash.
Fakti që leja u dha vetëm një orë pas ndalimit të lundrimit për shkak të motit ka shkaktuar reagime të forta në veri të Qipros.
Gazetarja turko-qipriote Aisemden Akin ka kërkuar publikimin e dokumenteve që lidhen me nisjen e mjetit, mes tyre urdhrin e largimit, raportet e inspektimit dhe autorizimin për operimin e linjës.
Ajo ka kërkuar gjithashtu të bëhet e ditur se kush e firmosi përfundimisht lejen, ndërsa kushtet atmosferike kishin qenë arsyeja e parë për ndalimin e lundrimit.
Struktura përgjegjëse për kontrollet, “Departamenti i Porteve”, është në varësi të ministrit të Transportit, Erhan Arikli.
Hetimi po përqendrohet tashmë te mënyra se si u mor vendimi që çoi në largimin e “Filo Jet” nga porti.
Autoritetet duhet të sqarojnë se përse një mjet i konsideruar fillimisht i papërshtatshëm për lundrim u lejua të nisej një orë më vonë dhe cilat të dhëna shërbyen si bazë për këtë ndryshim.
Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e tragjedisë, si edhe përgjegjësitë e mundshme të zyrtarëve që autorizuan lundrimin.
