Një angazhim i gjatë dhe i gjerë ushtarak kundër Iranit mund të cenojë ndjeshëm aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur krizave në pjesë të tjera të botës dhe për të përmbushur përgjegjësitë e saj në fushën e mbrojtjes. Ky është paralajmërimi që zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë i kanë dhënë Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Të lidhura
None found
Sipas The Washington Post, shqetësimet janë përfshirë në një vlerësim të klasifikuar të Pentagonit, që lidhet me vendosjen globale dhe nivelin e gatishmërisë së forcave amerikane.
Çështja u ngrit në gusht, përmes dokumentit të njohur si “Libri i Urdhrave të Sekretarit të Mbrojtjes”. Ky material pasqyron vendosjen dhe disponueshmërinë e kapaciteteve ushtarake amerikane në mbarë botën, ndërsa përmban edhe vlerësime të hartuar nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes.
Shqetësimi i drejtuesve ushtarakë u thellua pasi në dokument parashikohej që një pjesë e trupave amerikane të vazhdonte të qëndronte në Lindjen e Mesme edhe gjatë vitit 2027.
Komandantët e disa komandave kryesore, mes tyre strukturat përgjegjëse për Paqësorin, Evropën dhe Amerikën e Jugut, paraqitën zyrtarisht një tregues “mos-pajtimi”. Përmes tij, ata shprehën kundërshtimin ndaj mbajtjes së forcave në rajon për një periudhë kaq të gjatë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se komandantët kanë refuzuar zbatimin e urdhrave. Ushtria amerikane ka deklaruar se urdhrat do të respektohen, pavarësisht shqetësimeve të ngritura.
Ndërkohë, komandantët në Evropë, Azi dhe Amerikën Latine kanë dëshmuar transferimin e avionëve luftarakë, anijeve dhe kapaciteteve të tjera të rëndësishme drejt Lindjes së Mesme, në mbështetje të operacioneve kundër Iranit.
The Washington Post raportoi se këto lëvizje kanë ndikuar në operacionet ushtarake në rajone të tjera, por edhe në programet e stërvitjes dhe gatishmërinë e forcave amerikane.
Një burim i cituar nga gazeta e përshkroi gjendjen brenda ushtrisë si një ndjesi se Shtetet e Bashkuara po përballen me “shumë vështirësi, për një kohë shumë të gjatë”.
Komandantët me përgjegjësi për Evropën dhe Amerikën Latine janë ndër ata që kanë shfaqur shqetësimin më të madh.
Sipas raportit, ata paralajmëruan se dërgimi i anijeve dhe avionëve në Lindjen e Mesme “ka degraduar aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet për mbrojtjen e atdheut”.
Një vërejtje të ngjashme thuhet se ka bërë edhe kreu i operacioneve detare amerikane. Ai tha se aktualisht vetëm rreth një e katërta e flotës amerikane të shkatërruesve është e gatshme për dislokim, shifër kjo dukshëm më e ulët se ajo që regjistrohej përpara nisjes së luftës.
Sipas deklarimit të tij, nëse konflikti vijon me të njëjtin ritëm, aftësia e flotës për të reaguar në mënyrë efektive ndaj një krize tjetër ushtarake mund të rrezikohet.
Pentagoni, nga ana e tij, i ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet e publikuara nga The Washington Post.
“Ky lajm i rremë, i bazuar në burime të pamjaftueshme, është plot me pasaktësi”, deklaroi zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.
Parnell tha se Hegseth mban koordinim të vazhdueshëm me drejtuesit e degëve të Forcave të Armatosura, Shefat e Shtabit të Përbashkët dhe komandantët e strukturave ushtarake. Sipas tij, synimi është që forcat amerikane të vendosen në mënyrën e duhur për të parandaluar konfliktet, për t’iu kundërvënë kërcënimeve dhe për të ruajtur nivele të pranueshme gatishmërie.
Ai shtoi se vendimet për përmasat dhe kohëzgjatjen e dislokimit mbështeten te vlerësimet e kërcënimeve, prioritetet strategjike të përcaktuara nga presidenti dhe këshillat e udhëheqjes ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Parnell theksoi se Departamenti i Mbrojtjes nuk i bën publike procedurat e veta të brendshme operacionale.
