Protesta e 90-të qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka përfunduar pas një mbrëmjeje tjetër marshimi në rrugët e Tiranës, ku u përsëritën thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesat për ndryshim politik.
Gjatë lëvizjes së protestuesve u dëgjuan sloganet “Ndryshim sistemi! Revolucion!”, “Arrestoni Ramën dhe Ballukun!” si dhe “Shqipëri e rinisë, jo e partisë!”.
Të lidhura
None found
Mesazhet e protestës u përcollën edhe përmes pankartave, me të cilat u ironizuan nismat e reja të kryeministrit Rama, “Besa” dhe “Prania Besnike”. Në një prej pankartave shkruhej: “90 ditë, tre muaj. Një kërkesë: llogaridhënie.”
Qytetarët kërkuan largimin e qeverisë, por edhe përfundimin e asaj që e konsiderojnë “klasa e vjetër politike”. Sipas tyre, Shqipëria duhet t’u përkasë të rinjve dhe jo interesave të partive.
Gjatë tubimit u përcollën edhe deklarata të forta nga protestues të ndryshëm. Një qytetar akuzoi Edi Ramën dhe Sali Berishën se kanë ndarë mes tyre aferat, duke kërkuar që drejtësia të veprojë ndaj të dyve.
Një tjetër protestuese e përshkroi sheshin si “tempullin e fjalës së lirë”. Ajo nënvizoi se, pas 90 ditësh protestë, qytetarët duhet të krijojnë bindjen se mund ta ndryshojnë vendin së bashku.
Mes folësve ishte edhe një turist i huaj, i cili tregoi se e viziton Shqipërinë prej 10 vitesh dhe se është dashuruar me natyrën dhe mikpritjen e shqiptarëve. Ai tha se vitet e fundit kishte vërejtur zhvillime shqetësuese, duke përmendur djegien e maleve, ndotjen e lumenjve dhe pabarazinë në zhvillim mes bregdetit dhe zonave malore.
“Unë besoj në revolucion, besoj në Shqipëri dhe besoj në ju!”, u shpreh ai para protestuesve.
Pas përfundimit të marshimit të sotëm, protesta qytetare shënoi ditën e 90-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në shesh gjatë ditës së 91-të.
