Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha u kërkoi demokratëve të përgatiten për një etapë të re të aksionit politik. Ai e cilësoi ripërtëritjen si procesin thelbësor që duhet ta drejtojë PD-në drejt fitores.
Sipas Berishës, opozita duhet të kalojë në ofensivë, pasi ndodhet në “kilometrat e fundit” të rrugës drejt fitores. Ai deklaroi gjithashtu se mbështetja për Edi Ramën ka pësuar rënie të ndjeshme në sondazhe, duke e përshkruar kryeministrin si politikisht të vdekur.
Të lidhura
None found
“Si demokratë duhet të përgatitemi për ripërtëritjen. Kemi përballuar shumë zhvillime dhe tani kemi hyrë në një fazë kur duhet të jemi në sulm, në kilometrat e fundit, të bindur se po shkojmë drejt fitores. Kundërshtari ynë ka pësuar një rënie prej 29% në sondazhe dhe ndodhet në vdekje politike, edhe në planin ndërkombëtar. Rama ka vdekur politikisht. Ai është shkonfiguruar dhe është shpërfytyruar para opinionit publik. Çdo gazetar që ka hyrë në zyrën e tij ka dalë me bindjen se ai është i skaduar dhe i shpërfytyruar. Ai ka vdekur politikisht”, u shpreh Berisha.
Ai tha se kjo situatë duhet t’u shërbejë demokratëve si burim frymëzimi dhe motivimi për të vijuar procesin e nisur. Berisha theksoi se PD-ja ka potencial të jashtëzakonshëm, personalitete me merita dhe drejtues të sprovuar, por nënvizoi se kushti për të qëndruar në krye të misionit është ripërtëritja.
“Duhet ta pranojmë se këtë proces do ta bëni ju. Ripërtëritjen do ta nisim nga vetja dhe më pas do ta shtrijmë në çdo nivel. Në radhët tona nuk ka më vend për letargji”, tha kryetari i PD-së.
