Partia Demokratike mblodhi këtë të enjte pasdite Këshillin Kombëtar. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vazhdojë ta mbështesë pa kushte protestën, e cila prej rreth tre muajsh zhvillohet në vend dhe që ai e cilësoi si “heroike dhe të jashtëzakonshme”.
Berisha tha se kjo protestë ka merituar vlerësim të madh për guximin, këmbënguljen dhe pjesëmarrjen e gjerë, ndërsa sipas tij i ka bërë kombit një shërbim jashtëzakonisht të çmuar. Ai pretendoi se, si rezultat i saj, Edi Rama është sot njeriu më i urryer në Shqipëri, Ballkan dhe ndoshta në të gjithë Evropën.
Të lidhura
None found
Sipas kreut të PD-së, kryeministri është tashmë politikani më i damkosur dhe më i diskredituar në arenën ndërkombëtare. Berisha deklaroi se Rama po përballet me një spirale pa kthim dhe se nuk mund ta shpëtojnë as “Dielli”, as “besë besëpreri”, as satelitët apo pasqyrat, pasi për herë të parë, sipas tij, ai rezulton me pikë më poshtë se “partia e tij e krimit”.
Kryetari demokrat sqaroi se anëtarë, simpatizantë, deputetë dhe drejtues të PD-së kanë marrë pjesë dhe do të vazhdojnë të marrin pjesë në tubime, por pa përdorur simbole partiake dhe pa marrë rol protagonisti politik.
“Si partia më e madhe opozitare, ne jemi angazhuar në mbështetje të plotë në forma të ndryshme të kësaj proteste”, deklaroi Berisha.
Ai e përshkroi situatën politike të Edi Ramës si të rënduar dhe tha se protesta e ka çuar kryeministrin në “overdozë dëshpërimi”. Berisha e akuzoi atë se gjatë javëve të fundit ka mbajtur qëndrime dhe ka bërë deklarata të ndryshme ndaj protestuesve.
Berisha iu referua edhe sondazheve të fundit, duke pretenduar se ato tregojnë një rënie të fortë të mbështetjes për kryeministrin. “Sondazhet e kanë nxjerrë tani Edi Ramën me 29 pikë në rënie pikiatë. Kjo do të thotë me statistikë që Edi Rama ka marrë fund”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, të cilën e konsideroi “skenarin më pak të dëmshëm” për kryeministrin në kushtet e krijuara.
Berisha deklaroi se pas një vere të tillë, çdo person në vendin e Ramës do të kishte zgjedhur të largohej nga detyra. Ai akuzoi kryeministrin se gjatë 13 viteve të pushtetit absolut ka vjedhur qytetarët “natën, ditën, zgjuar dhe në gjumë”, duke thënë se nuk është bërë as lider dhe as burrë. Sipas tij, pavarësisht se populli ndodhet në shesh prej tre muajsh, Rama nuk jep dorëheqjen dhe as nuk guxon ta mendojë një hap të tillë.
Ai tha se opozita duhet të bëjë gjithçka për ta detyruar Edi Ramën të largohet, ndërsa e përcaktoi mbështetjen pa kushte për protestën rinore dhe qytetare si detyrën e parë të saj. Berisha shtoi se, pas 90 ditësh, kanë dështuar përpjekjet e kundërshtarëve që, sipas tij, synonin të merrnin meritat për protestën dhe të paraqiteshin si ata që tërhiqnin karrocën.
Sipas Berishës, këta persona vepruan si vegla të Edi Ramës dhe përdorën slogane kundër PD-së për të mbajtur demokratët larg protestës. “Por gabuan, gabuan keq. PD-ja dhe protesta janë të lidhura njëlloj si syri me dritën”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
Berisha deklaroi se demokratët kanë organizuar më shumë se 420 protesta kundër qeverisë Rama gjatë katër viteve të fundit. Ai akuzoi mazhorancën për korrupsion, keqqeverisje, përdorim politik të drejtësisë dhe lidhje me krimin e organizuar.
Ai shtoi se PD-ja ka denoncuar në qindra dosje penale, sipas tij, “lidhjet e qeverisë me krimin dhe drogën”. Në fjalën e tij, Berisha përmendi gjithashtu rezolutat ndërkombëtare dhe misionet faktmbledhëse që kanë ardhur në Shqipëri.
