Autoritetet greke kanë vënë në pranga tetë persona, të dyshuar se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e një atentati me eksploziv ndaj një biznesmeni greko-amerikan në ishullin e Lefkadës.
Sulmi dyshohet se është organizuar në janar 2026, kur në vilën e biznesmenit, pranë zonës së Agiofyllit, u vendos një pajisje shpërthyese. Bëhej fjalë për rreth 10 kilogramë dinamit xhelatinë, i cili nuk arriti të shpërthente. Hetimi i Policisë greke ka nxjerrë në pah dyshimet se urdhri është dhënë nga dy të burgosur në burgun e Malandrinos, të cilët kanë aktivizuar persona të tjerë jashtë ambienteve të vuajtjes së dënimit.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve, si drejtues të dyshuar të planit janë identifikuar Mikel Selimaj, 46 vjeç, nga Vlora, dhe shtetasi grek Evstratios Nousis, 31 vjeç. Selimaj, me precedentë për çështje të lidhura me drogën, vjedhjet dhe grabitjet, ndodhet në paraburgim që prej majit 2025. Ai akuzohet për vrasjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Altin Arapaj në Rafina.
Edhe Nousis rezulton me precedentë penalë që nga viti 2015 dhe ndodhet i arrestuar për vepra të tjera. Në janar të këtij viti, ai dyshohet se ka plagosur brenda burgut 46-vjeçarin nga Gjirokastra, Dhimo Meci, i cili akuzohet për vrasje me pagesë.
Dosja e Departamentit të Ndjekjes së Krimeve me Zhvatje të DAOE-së thotë se gjashtë bashkëpunëtorët e dy të burgosurve e vendosën eksplozivin në ballkonin e pasmë të vilës. Pajisja, e mbushur me 10 kilogramë dinamit xhelatinë, kishte edhe një fitil me djegie të ngadaltë. Zbulimi i saj nga kujdestari i banesës bëri të mundur shmangien e shpërthimit dhe pasojave që mund të shkaktonte.
Gjashtë të arrestuarit që vepronin jashtë burgut përballen me akuzat për “formim të një bande”, si dhe për shkelje të ligjit për armët dhe lëndët eksplozive. Në të njëjtën çështje penale, dy të burgosurit në Malandrinos konsiderohen të dyshuarit që kanë nxitur sulmin.
Paralelisht, hetuesit po analizojnë edhe një ngjarje tjetër që mund të ketë lidhje me biznesmenin. Në maj, ai dyshohet se është sulmuar me armë në Voula, por autorët e këtij episodi ende nuk janë identifikuar. Shkaku i vendosjes së eksplozivit në vilë mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet greke vazhdojnë për të përcaktuar rolin e secilit të arrestuar dhe për të verifikuar nëse atentati lidhet me një konflikt apo me një veprimtari kriminale më të gjerë.
