Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren që ndaj të dyshuarit B.D. të caktojë masën e paraburgimit për 30 ditë. Ai ndodhet në ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të lidhura
None found
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 26.08.2026, rreth orës 00:05, në shtëpinë familjare të të dyshuarit në Prizren. Pas një konflikti verbal me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., B.D. dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, duke i përplasur dhe goditur disa herë kokën në tokë.
Për shkak të plagëve të shumta në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, L.D. ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Prokuroria pretendon gjithashtu se pas rastit, B.D. është përpjekur të largojë gjurmët e ngjarjes dhe më pas ka njoftuar familjarët për atë që kishte ndodhur.
“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e institucionit.
