Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vendosur që tri lëndë penale të lidhura me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt të transferohen nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet janë marrë në kuadër të kompetencave ligjore, duke u bazuar në peshën e veçantë të çështjeve, pasojat e rënda dhe domosdoshmërinë që ato të trajtohen në mënyrë efikase, objektive dhe të paanshme.
Të lidhura
None found
Qëllimi i ricaktimit është garantimi i një shqyrtimi të kujdesshëm dhe serioz të rasteve, në përputhje me dispozitat ligjore dhe specifikat e secilës çështje.
Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit po shqyrton edhe veprimet apo mosveprimet eventuale të institucioneve lidhur me rastet e raportuara nga e ndjera.
Analiza përfshin rrjedhën e veprimeve të ndërmarra, vendimet e marra, mënyrën e vlerësimit të rrezikut, masat e përdorura për mbrojtjen e saj dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e përgjegjësive eventuale.
Në njoftim bëhet e ditur se do të kërkohet përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë ose mosveprim që mund të identifikohet. Nëse konstatohen shkelje apo përgjegjësi, do të merren masat e parashikuara me ligj dhe brenda kompetencave përkatëse.
Zyra e Kryeprokurorit nënvizon se vlerësimi do të mbështetet në fakte, dokumente dhe prova përkatëse, pa paragjykuar përgjegjësinë e asnjë personi.





