Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, komentoi procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Të lidhura
None found
Kurti tha se beson në pafajësinë e tyre dhe shprehu shpresën që ata të kthehen në Kosovën e lirë. Sipas tij, kjo është çështja kryesore, ndërsa pritjet janë për përfundimin më të mirë të mundshëm.
Duke folur për UÇK-në, ai e cilësoi luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, të organizuar dhe të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si të drejtë, çlirimtare dhe antikolonialiste kundër okupatorit shekullor serb.
Kryeministri në detyrë theksoi se asnjë proces gjyqësor, qoftë brenda apo jashtë vendit, nuk mund ta njollosë UÇK-në.
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në çështjen kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 16 shtator 2026.
Kurti sqaroi gjithashtu se gjykimi në Hagë nuk lidhet me bisedimet politike për zgjedhjen e presidentit.
Ai deklaroi se negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një kandidat për president ose presidente përbëjnë një proces më vete, me karakter politik dhe jo një çështje të drejtësisë.
