Seanca e Gjykatës së Apelit, e paraparë për 28 tetor në çështjen ndaj Arsim Sylës, është shtyrë për shkak se pala e dëmtuar ende nuk ka caktuar një avokat të ri. Syla është dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e Valmir Breznicës në një supermarket në Podujevë.
Kryesuesi i trupit gjykues, gjyqtari Skender Qoqaj, tha se gjykata kishte komunikuar me palët e dëmtuara dhe se ato kishin treguar interesim të madh për të qenë të pranishme në seancë.
Të lidhura
None found
Avokati që i përfaqësonte më herët palët e dëmtuara është privuar nga licenca prej Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ndërsa një përfaqësues tjetër ligjor nuk është angazhuar deri tani. Gjykata njoftoi gjithashtu se ankesa e dorëzuar në emër të tyre ishte hedhur poshtë si e palejuar, pasi avokati që e kishte paraqitur nuk kishte licencë të vlefshme.
Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Arsim Sylës, nuk u shpreh kundër shtyrjes. Ai tha se palës së dëmtuar duhet t’i jepet mundësia t’i ushtrojë të drejtat e saj.
“Ata kanë të drejtë të dëgjohen, sado që u nevojitet kohë, sepse vendimi në fund, pa iu siguruar palës së dëmtuar mbrojtja, nuk mund të jetë as i drejtë dhe as i ligjshëm. E mirëpres vendimin e këtij kolegji”, deklaroi Berisha.
Vrasja ndodhi më 11 shtator 2023 në supermarketin “Interex” në Podujevë. Aty u vra 34-vjeçari Valmir Breznica, i cili në atë kohë ishte me bashkëshorten dhe djalin katërvjeçar. Nga të shtënat me armë zjarri u plagos edhe bashkëshortja e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arsim Syla dyshohej se kishte nxitur djalin e tij të mitur, Lordi Syla, ta vriste Breznicën, si hakmarrje për një konflikt të mëhershëm. Prokuroria pretendon se Arsim Syla e kishte drejtuar të birin te viktima dhe se i mituri kishte qëlluar disa herë me armë zjarri.
Arsim Syla i ka mohuar akuzat dhe pretendimet se kishte planifikuar ose nxitur vrasjen.
Më 26 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 22 vjet burgim. Vendimin e mori trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, me Gent Bekën dhe Sulltane Hotin si anëtarë. Në dënim iu përfshi edhe koha e kaluar në paraburgim.
Pas ankesës ndaj aktgjykimit, rasti iu dërgua Gjykatës së Apelit. Seanca e 28 tetorit nuk vazhdoi për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor të palës së dëmtuar.
Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.





