Meta ka arritur një marrëveshje të rëndësishme jashtë gjykatës me shtetet amerikane, duke mbyllur një proces ligjor që lidhej me mbrojtjen e të miturve në Facebook dhe Instagram.
Të lidhura
None found
Paditë ndaj kompanisë së drejtuar nga Mark Zuckerberg pretendonin se platformat e saj mund të krijonin varësi te të rinjtë dhe se Meta nuk kishte ndërmarrë masa të mjaftueshme për të kufizuar dëmet e mundshme.
Sipas marrëveshjes, kompania pritet të paguajë deri në rreth 18 miliardë dollarë. Nga kjo shumë, 2,2 miliardë dollarë do t’i shkojnë vetëm Kalifornisë, ndërsa pagesat do të kryhen gjatë një periudhe 10-vjeçare. Në këmbim, Meta do të zbatojë rregulla të reja për përdoruesit adoleshentë.
Një prej ndryshimeve të pranuara nga kompania është heqja e lëvizjes së pafundme të përmbajtjeve, e njohur si “infinite scroll”. Po ashtu, përdorimi i Instagramit dhe Facebook-ut do të kufizohet në dy orë në ditë.
Meta do të vendosë edhe kufizime gjatë natës. Platformat nuk do të mund të përdoren nga mesnata deri në orën 06:00, ndërsa njoftimet do të çaktivizohen nga ora 22:00 deri në 07:00, me synimin për të parandaluar përdorimin kompulsiv dhe problemet me gjumin.
Masa të tjera prekin funksione që psikologët i kanë lidhur me krahasimet negative sociale. Këtu përfshihen filtrat e bukurisë dhe shfaqja e numrit të pëlqimeve, ose “Like”. Kompania do të përmirësojë gjithashtu mekanizmat e verifikimit të moshës dhe mjetet e kontrollit prindëror.
Si pjesë e marrëveshjes, Meta do të japë fillimisht 12,7 miliardë dollarë për financimin e programeve që synojnë rritjen e sigurisë së të rinjve në internet.
Një pagesë shtesë prej 5,3 miliardë dollarësh do të bëhet nëse dy konkurrentët e saj, YouTube dhe TikTok, miratojnë politika të reja. Meta u ka kërkuar këtyre dy platformave të ndërmarrin të njëjtat hapa.
“Marrëveshja që kemi negociuar do t’u mundësojë prindërve të menaxhojnë me lehtësi aksesin e fëmijëve të tyre në platformat tona”, deklaroi në një njoftim CJ Mahoney, drejtuesi ligjor i Meta-s.
“Por suksesi i saj varet nga fakti nëse të gjitha platformat e tjera të rrjeteve sociale do të ndjekin shembullin e Meta-s”, shtoi ai.
Palët e arritën marrëveshjen gjatë javës së dytë të gjyqit në Gjykatën Federale të Oakland-it. Kalifornia, Kolorado, Kentucky dhe New Jersey kërkonin rreth 200 miliardë dollarë për dëmet që, sipas pretendimeve të tyre, Meta u kishte shkaktuar të miturve. Marrëveshja në praktikë i jep fund procesit gjyqësor.
Dokumenti nuk përfshin një pranim faji nga Meta dhe ende duhet të marrë miratimin e gjyqtares Yvonne Gonzalez Rogers.
Vlera e dëmshpërblimit renditet ndër pagesat më të mëdha që një kompani teknologjike u ka bërë ndonjëherë shteteve amerikane. Megjithatë, Meta vazhdon të përballet me shumë procese të tjera të ngritura nga distrikte shkollore dhe qytetarë privatë.
Vetëm muajin e kaluar, kompania deklaroi se gjatë tremujorit të dytë kishte shpenzuar 2 miliardë dollarë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj ligjore.
Çështja ishte ngritur nga 29 shtete, të cilat akuzonin Meta-n se e dinte se algoritmet dhe rrjetet e saj sociale mund të shkaktonin dëme, por nuk kishte bërë mjaftueshëm për t’i frenuar ato. Sipas paditësve, kompania kishte vendosur fitimet mbi mirëqenien e të miturve.
Meta ka kundërshtuar këto pretendime, duke argumentuar vazhdimisht se nuk ka prova shkencore që dëshmojnë se rrjetet sociale krijojnë varësi. Në mbrojtjen e saj, kompania është mbështetur edhe te një ligj federal amerikan që i përjashton platformat nga përgjegjësia për përmbajtjet e publikuara nga përdoruesit.
Pas njoftimit për marrëveshjen, aksionet e Meta-s u rritën me më shumë se 4% në tregtimin para hapjes së bursës.
