Policisë së Shtetit i janë shtuar 389 të rinj e të reja, të cilët përfunduan kursin për Patrullë të Përgjithshme. Gjatë ceremonisë së organizuar në Akademinë e Sigurisë, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se pjesëmarrësit kanë fituar njohuritë profesionale dhe janë përgatitur për realitetin e një prej profesioneve më të vështira e më fisnike në shërbim të vendit.
Përpara kursantëve, pedagogëve, drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe familjarëve, Lamallari theksoi se përfundimi i formimit policor nuk përfaqëson vetëm një akt formal. Sipas tij, ky çast hap një mision të ri dhe sjell përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe vendit.
Të lidhura
None found
Ministri vuri në dukje se, megjithëse ceremoni të tilla zhvillohen çdo vit dhe në pamje të parë mund të duken të ngjashme, ato nuk janë asnjëherë njësoj. Çdo kurs sjell të rinj me ëndrra të reja, familje që kanë pritur këtë ditë dhe njerëz të cilëve u besohet një përgjegjësi e re.
Lamallari tha se kjo përgjegjësi merr rëndësi të posaçme në Policinë e Shtetit, sepse përgatitja nuk kufizohet te mbyllja e një shkolle apo trajnimi. Ajo lidhet me një detyrë të vështirë, që përfshin mbrojtjen e jetës dhe garantimin e zbatimit të ligjit. Ai e cilësoi shërbimin për sigurinë e vendit, ruajtjen e jetës dhe pronës së njerëzve, si edhe mbështetjen e tyre në ditë të vështira, si nderimin më të lartë. Kursantëve u kërkoi që uniformën ta shohin gjatë gjithë karrierës si simbol besimi, përgjegjësie dhe krenarie.
Sipas ministrit, autoriteti që ligji i jep uniformës nuk mjafton për të siguruar besimin e publikut. Ky besim, tha ai, fitohet çdo ditë përmes profesionalizmit, sjelljes dhe komunikimit me njerëzit: në rrugë, në lagje, në komisariat apo gjatë një situate të vështirë. Ai përmendi si prova konkrete mënyrën e komunikimit me një qytetar, përgjigjen ndaj një të moshuari, mbrojtjen e një fëmije dhe ndërhyrjen përballë një krimi.
Duke paraqitur vizionin për vitet e ardhshme, kreu i MPB-së deklaroi se policia e gjeneratës së re duhet të jetë moderne, profesionale dhe njerëzore. Sipas tij, Policia e Shqipërisë evropiane nuk mund të vlerësohet vetëm nga forca që tregon kundër krimit, por edhe nga aftësia për ta parandaluar, profesionalizmi për ta goditur dhe humanizmi me të cilin i shërben qytetarit pa kompromis.
Akademinë e Sigurisë, Lamallari e përshkroi si pikënisjen e modernizimit të Policisë së Shtetit. Ai nënvizoi rolin e dijes, disiplinës, formimit profesional dhe përdorimit të teknologjisë, duke sqaruar se ky proces nuk mbështetet vetëm te investimet në pajisjet dhe teknologjinë e nevojshme, por nis para së gjithash në Akademinë e Sigurisë.
Ministri kërkoi që modernizimi të shoqërohet edhe me ndryshimin e mendësisë dhe të qasjes ndaj sigurisë publike. Sipas tij, Policia duhet të kalojë nga një strukturë që vetëm reagon te një forcë që parandalon; nga një prani që bëhet e dukshme vetëm kur shfaqet një problem, te një shërbim i përditshëm pranë qytetarit. Ai theksoi se institucioni nuk duhet të mbështetet thjesht tek autoriteti që i njeh ligji dhe se qytetarët nuk duhet t’i shohin punonjësit e Policisë si distancë mes tyre dhe shtetit, pasi Policia është fytyra më e afërt e shtetit.
Në lidhje me integrimin evropian, Lamallari u shpreh se ndryshimi i Shqipërisë duhet të ecë paralelisht me transformimin e Policisë së Shtetit dhe të standardeve të saj profesionale. Duke folur për integritetin, ai paralajmëroi të rinjtë se uniforma nuk u siguron privilegje, por u ngarkon vetëm me përgjegjësi. Sipas tij, gjatë detyrës do të përballen me njerëz që mund të përpiqen t’i joshin, t’i blejnë, t’i frikësojnë ose t’i vënë në provë, ndaj duhet të qëndrojnë të fortë, të mos e njollosin uniformën dhe të mos tradhtojnë besimin e qytetarëve.
Ministri e cilësoi integritetin si armën më të fuqishme të punonjësit të Policisë. Ai u kujtoi kursantëve se pas çdo ndërhyrjeje ndodhet një qytetar dhe një familje, pas çdo vendimi qëndron një jetë, ndërsa pas çdo polici është besimi i njerëzve te shteti. Në përfundim, Lamallari u kërkoi të jenë të fortë kundër krimit, të drejtë përballë ligjit dhe njerëzorë në marrëdhënien me qytetarin, duke i shërbyer Shqipërisë me nder dhe qytetarëve me dinjitet e përkushtim. Ai i ftoi që, përmes punës së tyre, të ndërtojnë Policinë e një Shqipërie Evropiane.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u tha punonjësve të rinj se busulla e tyre në këtë mision duhet të ndjekë vetëm tri drejtime: ligjin, shërbimin ndaj qytetarëve dhe përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të cilët janë njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Ai u kërkoi të mos largohen kurrë nga këto tri orientime, pavarësisht sfidave apo tundimeve, duke paralajmëruar se humbja e busullës do të thotë humbje e qytetarit dhe e dinjitetit, ndërsa rruga më pas bëhet e mbushur me dritëhije dhe ndoshta edhe me errësirë.
