Pas largimit nga Manchester City dhe kalimit te Tottenhami, Savio Moreira de Oliveira ka vendosur të mos e përdorë më nofkën “Savinho” në fanellën e tij.
Futbollisti brazilian do të prezantohet te klubi londinez me emrin Savio, ndërsa do të mbajë numrin 17 në fanellë. 22-vjeçari kaloi dy sezonet e fundit në radhët e Manchester Cityt.
Të lidhura
None found
Emri “Savinho” e shoqëroi anësorin gjatë ngritjes së tij në futbollin evropian. Me Manchester Cityn, ai regjistroi 84 paraqitje dhe në fanellë mbante të njëjtën nofkë, bashkë me numrin 26.
Në gjuhën portugeze, prapashtesa “inho” përdoret për të treguar zvogëlimin, por shpesh mund të ketë edhe kuptim përkëdhelës ose të shprehë afërsi.
Vetë lojtari kishte rrëfyer më parë origjinën e kësaj nofke. Në një intervistë të dhënë për Manchester Cityn në vitin 2024, ai tha se “Savinho” ishte shkruar për herë të parë në fanellën e tij gjatë një grumbullimi me kombëtaren braziliane.
“Më parë, në Girona, më quanin kryesisht Savinho, ndërsa në fanellën e klubit shkruhej Savio. Kjo është arsyeja pse i thashë Manchester Cityt ta vendoste Savinhon në fanellë. Shpresoja se do të më sillte fat”, kishte deklaruar ai.
Tashmë, me transferimin në Tottenham, braziliani ka zgjedhur të përdorë sërish emrin Savio. Nuk dihet ende pse është bërë ky ndryshim, pasi as futbollisti dhe as klubi londinez nuk kanë dhënë ndonjë sqarim zyrtar.
Marrëveshja për kalimin e tij nga Manchester City te Tottenhami raportohet të jetë arritur për 85 milionë funte, shumë që në atë kohë ishte rreth 99 milionë euro.
Savio ka folur me entuziazëm për kapitullin e ri në karrierë, duke treguar se një bisedë me trajnerin Roberto De Zerbi ndikoi në zgjedhjen e tij për t’iu bashkuar Tottenhamit.
“Kur fola me trajnerin, e kuptova se duhej të vija. Ai më tha se dëshironte të më ndihmonte të arrija nivelin më të lartë dhe besonte se mund ta bënim këtë së bashku”, tha braziliani.
