Gjatë protestës së 86-të, një i ri deklaroi se tubimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, problemet e shumta të vendit mund të marrin zgjidhje vetëm pas largimit të kreut të qeverisë.
Ai tha se protesta ka ende një potencial shumë më të madh dhe se tashmë duhet kaluar nga denoncimet te paraqitja e ideve konkrete.
Të lidhura
None found
“Tirana është e gjallë dhe Shqipëria është e gjallë. Kam pritur prej vitesh për një reagim të tillë. Besoj se kjo protestë ka një potencial shumë më të madh. Pas denoncimeve, tani është koha të flitet edhe për ide”, u shpreh protestuesi.
Sipas tij, nëse në protestë do të artikulohen ide, lëvizja nuk do të ndalet dhe sistemi do të detyrohet të bëjë të paktën një hap pas.
Ai renditi disa prej problematikave që, sipas tij, karakterizojnë vendin, duke përmendur mungesën e sindikatave, pagat e pamjaftueshme dhe përhapjen e korrupsionit. “Ky vend nuk ka sindikata dhe ka rroga mbijetese. Krimi nuk bën më dallim nga shteti. Po krijohet një kulturë që ushqen korrupsionin”, deklaroi ai.
Protestuesi akuzoi gjithashtu Ramën se nuk pranon argumentet, por prodhon lajme e skandale dhe i huton qytetarët përmes shfaqjeve dhe fasadës. Ai e cilësoi kryeministrin si të vetmin që ka televizion në emrin e tij.
“Sa vite kanë kaluar që Rama nuk del në televizion përballë dikujt? Ka shkatërruar Teatrin Kombëtar. Në mes të ditës shkatërroi hotelin ku kishte drekuar vetë kush e di sa herë, hotelin e pronarit të News 24, ta themi troç”, tha ai.
