Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje lidhur me synimin për hapjen e plotë të Urës së Ibrit dhe vendosjen e saj tërësisht nën kontrollin e Policisë së Kosovës.
Gjatë një konference për media, Kurti tha se institucionet kosovare po koordinohen vazhdimisht me KFOR-in për këtë çështje. Ai njoftoi se sot pasdite do të presë në Kryeministri komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutas.
Të lidhura
None found
Sipas tij, kontaktet me KFOR-in zhvillohen çdo ditë si nga Kryeministria, ashtu edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që i gjithë procesi të përfundojë qetësisht, paqësisht dhe pa incidente.
Kurti e cilësoi të pakuptimtë vazhdimin e mbajtjes së Urës së Ibrit të mbyllur për qarkullim, veçanërisht pas ndërtimit të urave të reja në atë zonë.
Ai theksoi se qytetarët kanë lëvizur lirshëm nëpër urat e reja, pa u shënuar asnjë incident apo tension. Sipas Kurtit, shtimi i lirisë së lëvizjes dhe qarkullimi i njerëzve e i mallrave sjellin përfitime jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë.
