Në një komunikatë për media, nga VLEN thonë se në BDI tashmë nuk dihet kush e mban realisht drejtimin e partisë. Sipas tyre, Ali Ahmeti lëshon sinjale provuese për tërheqje nga politika, Bujar Osmani e ka vënë shënjestrën te posti i kryetarit, ndërsa njerëzit e Artan Grubit dërgojnë porosi dhe u rikujtojnë të gjithëve se deri vonë ishte ai që e bënte ligjin në parti.
Të lidhura
None found
Sipas VLEN-it, Ahmeti hiqet sikur e ka situatën nën kontroll, por llogaritë nuk i dalin aspak. Po qe se e mbron Artanin, i ngarkon vetes gjithë barrën e tij politike. Po qe se ia kthen shpinën, rrezikon të hapet “kutia e zezë” dhe të tregojë se kush çfarë ka porositur, çfarë ka nënshkruar dhe kush, në fund, i ka marrë përfitimet.
Ndërkohë, VLEN ngre pyetje për Bujar Osmanin: ai flet për çdo gjë, por për Artan Grubin nuk thotë asnjë fjalë. Kush ia ka lidhur gjuhën Bujarit? Deri dje ata të dy qëndronin në krye të BDI-së dhe para opinionit shfaqnin unitet, ndërsa sot Bujari bën sikur Artani nuk ekziston. Çfarë di Bujari për Artanin dhe nuk dëshiron ta thotë publikisht? A po pret momentin e përshtatshëm për të folur apo hesht që të mos përfshihet vetë në këtë histori?
Nga VLEN shtojnë se sot në BDI ka diskutime për gjithçka, por përgjigje për asgjë. Ata shtrojnë dilemën se nga çfarë ka më shumë frikë Bujari: se Artani do të flasë hapur për gjithçka apo se Aliu nuk do të tërhiqet?
