Stephen Hubbard, shtetas amerikan 74-vjeçar, është liruar nga Rusia pasi u dënua me gati shtatë vjet burg për akuzën se kishte luftuar përkrah Ukrainës. Lajmi u bë publik gjatë takimit në Shën Petersburg mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff.
Putini tha në takimin e së mërkurës se Hubbard ishte dërguar në aeroportin Pulkovo, prej nga pritej të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Më pas, presidenti amerikan Donald Trump e konfirmoi lirimin, duke thënë se 74-vjeçari ishte “rrugës për t’u kthyer në shtëpi”. Sipas tij, nuk u desh të bëhej shkëmbim të burgosurish.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se lirimi u realizua pas kërkesës që ai vetë i bëri Putinit javën e kaluar.
Hubbard, ish-mësues me origjinë nga Miçigani, u dënua në vitin 2024 me gati shtatë vjet në një koloni penale në Rusi. Autoritetet ruse pretenduan se ai kishte shërbyer në një njësi mbrojtëse në qytetin ukrainas të Iziumit dhe se ishte kapur nga forcat ruse pak kohë pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 2022.
Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte shpallur më herët Hubbardin të ndaluar padrejtësisht. CBS News raportoi se ai kishte probleme me shëndetin dhe se pritej të dërgohej në Teksas për trajtim mjekësor.
Gjatë takimit në Shën Petersburg, Witkoff e falënderoi Putinin për lirimin e Hubbardit dhe e përshkroi presidentin rus si humanitar.
I dërguari amerikan i kërkoi gjithashtu Putinit të shqyrtonte rifillimin e bisedimeve trepalëshe të paqes me Ukrainën, ndërkohë që lufta ka zgjatur më shumë se katër vjet.
Takimi u mbajt një ditë pas bisedimeve që Witkoff zhvilloi në Oslo të Norvegjisë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Një zyrtar amerikan i cilësoi ato bisedime konstruktive.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se në takimin e Shën Petersburgut u shqyrtuan edhe rezultatet e bisedimeve në Oslo. Sipas agjencisë, Witkoff kishte me vete dokumente që paraqisnin qasje të mundshme për procesin e paqes.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për situatën në Iran, mundësinë e zhvillimit të një takimi në Kinë dhe bashkëpunimin ekonomik mes SHBA-së e Rusisë.
Witkoff e falënderoi Putinin edhe për marrëveshjen e arritur në fillim të këtij muaji për importimin në SHBA të naftës dizel ruse. Ai tha se Trump ishte mirënjohës për bashkëpunimin.
Agjencia shtetërore ruse TASS citoi Putinin të thoshte se ngarkesa e parë e naftës dizel sipas marrëveshjes do të nisej nga Rusia brenda dy deri në tri ditësh.
Marrëveshja ka ngjallur pakënaqësi në Kiev dhe është shoqëruar me acarim të marrëdhënieve mes administratës Trump dhe Ukrainës. Uashingtoni ka pezulluar disa sanksione ndaj Moskës, ndërsa Trump ka kritikuar edhe sulmet e Ukrainës kundër infrastrukturës energjetike ruse.
Ukraina, nga ana e saj, e kishte akuzuar SHBA-në se kishte ndërprerë shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës për sulmet vdekjeprurëse ruse. Uashingtoni e ka mohuar këtë pretendim. Të martën, Zelensky njoftoi se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës ishte rifilluar.
Teksa në Shën Petersburg zhvilloheshin bisedimet, presidenti ukrainas shkroi në rrjetet sociale se shumë gjëra do të vareshin nga gatishmëria e palës amerikane për të dëgjuar nga Rusia propozime të reja për paqe, dhe jo për vazhdimin e luftës.







