Një seri sulmesh masive me raketa ruse goditi gjatë natës Kievin dhe zonat përreth, duke shkaktuar të paktën 12 viktima dhe 30 të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.
Të lidhura
None found
Banorët e Kievit u detyruan të strehoheshin në ambiente nëntokësore, mes tyre edhe parkingje, ndërsa në disa pjesë të Ukrainës vijuan alarmet për sulme ajrore.
Autoritetet ukrainase kishin paralajmëruar më herët gjatë natës banorët që të kërkonin strehim në vende të sigurta, duke njoftuar gjithashtu për mundësinë e operacioneve të mbrojtjes ajrore.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës bëri të ditur se raketat goditën ndërtesa banimi dhe magazina. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të kontrolluar rrënojat dhe për të gjetur persona të tjerë që mund të jenë bllokuar.
Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, ekipet emergjente arritën të nxirrnin të gjallë një person nga rrënojat e një godine të shembur.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se sulmet dëmtuan edhe një spital për fëmijë. Godina pësoi thyerje të xhamave, ndërsa automjete të ndodhura pranë saj u përfshinë nga zjarri.
Një tjetër objekt i goditur ishte një qendër industriale në distriktin Solomyanskyi, në pjesën jugperëndimore të Kievit.
Në distriktin Brovary, pjesë e rajonit më të gjerë të Kievit, një burrë humbi jetën dhe një tjetër u plagos. Lajmi u konfirmua nga guvernatori rajonal Tymur Tkachenko.
Ndërsa sulmet ruse vijonin, ushtria polake njoftoi se do të ndërmarrë “operacione parandaluese të aviacionit ushtarak”, si përgjigje ndaj sulmeve ruse kundër Ukrainës.
Kievi është përballur me sulme pothuajse çdo natë gjatë javëve të fundit, disa prej të cilave kanë lënë pas dhjetëra viktima dhe persona të plagosur rëndë.
