Karrica shkëlqen ndaj Partizanit: Këpuca e Artë është synim, ndërsa për Vorën “do të flasë koha

Vora i dha fund serisë prej pesë ndeshjesh pa fitore në Superiore, duke triumfuar 4-1 ndaj Partizanit në javën e shtatë të kampionatit. Protagonisti kryesor i këtij rezultati ishte Bernard Karrica, i cili realizoi tre gola dhe udhëhoqi skuadrën drejt një suksesi të rëndësishëm.

Para transfertës së së shtunës ndaj Laçit, që do të zhvillohet në Kurbin në orën 13:30, sulmuesi foli për “Newsport.al” rreth gjendjes së ekipit pas fitores me Partizanin, objektivave personale dhe ambicieve të Vorës. Karrica u ndal edhe te penalltia e humbur ndaj Elbasanit në Conference League.

Të lidhura

None found

Si është atmosfera në skuadër pas fitores 4-1 ndaj Partizanit?

Pas çdo fitoreje atmosfera është pozitive, kjo është normale. Megjithatë, duhet të qëndrojmë të përqendruar te ndeshjet që na presin.

A e mendonit se ndeshja do të ishte e lehtë, duke parë edhe formën e kundërshtarit, apo ndikoi përgatitja e trajnerit Bellai?

Jo, nuk e prisnim një përballje të lehtë dhe nuk e nënvlerësojmë asnjë skuadër. Në pjesën e parë hasëm më shumë vështirësi, derisa kuptuam mënyrën se si po luante Partizani, pasi kishte shumë rotacione. Pas pushimit u paraqitëm më mirë dhe shfrytëzuam rastet që krijuam.

Pas ndërprerjes së një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore, çfarë mund të presim nga Vora?

Do ta përballojmë çdo takim veçmas dhe në secilin prej tyre do të hyjmë me synimin për të fituar.

Pas Laçit vijnë Vllaznia dhe Dinamo. Sa pikë synon Vora në këto tri ndeshje?

Janë tri përballje të vështira dhe asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar. Do të futemi për të fituar të trija ndeshjet, ndërsa më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.

Shifrat tuaja tregojnë një rritje të madhe në aspektin e golave. Si ka ardhur ky ndryshim?

Sezonin e kam nisur mirë dhe shpresoj ta vazhdoj në të njëjtën mënyrë, pa dëmtime, dashtë Zoti. Nuk di ta shpjegoj saktësisht se si erdhi kjo, por një sulmues duhet të ketë mentalitetin për të shënuar sa më shumë, për ta ndihmuar ekipin, si dhe të ruajë disiplinën e përqendrimin.

Po shënoni vazhdimisht gola spektakolarë. A ka ndonjë sekret pas kësaj?

Nuk mendoj se kam ndonjë veçori të veçantë. Thjesht po bëj atë që duhet të bëjë çdo sulmues.

A ju ka mbetur peng penalltia e humbur ndaj Elbasanit në Conference League dhe çfarë ndryshoi tek ju pas asaj ndeshjeje?

Sigurisht që ajo penallti mbetet peng, sepse asnjë futbollist nuk dëshiron të gabojë në një moment të tillë. Isha i pari që kërkova ta ekzekutoja. Kisha shumë besim se do të shënoja dhe do të kualifikoheshim, por fati nuk ishte në anën tonë. Futbolli është i tillë dhe duhet të pranosh si momentet e vështira, ashtu edhe ato të bukura.

A është Këpuca e Artë objektivi juaj dhe deri ku mund të shkojë Vora?

Po, Këpuca e Artë është padyshim një objektiv. Besoj se çdo sulmues ëndërron të jetë golashënuesi më i mirë i kampionatit. Sa i përket Vorës, këtë do ta tregojë koha dhe rrugëtimi ynë.


Shtuar më 21.10.2026 15:25