Viniciusi ishte pranë Arsenalit, por agjenti tregon pse zgjodhi të qëndrojë te Real Madridi

Arsenali u përpoq me këmbëngulje ta transferonte Vinicius Juniorin gjatë verës, por, sipas drejtuesve të Roc Nation Sports International, që përfaqëson brazilianin, dëshira e tij për të vazhduar te Real Madridi ishte vendimtare.

Grant Veitch, drejtor i rekrutimit të futbollistëve afrikanë në Roc Nation, tha se Viniciusi shkoi në Madrid kur ishte shumë i ri dhe se aty ka gjetur rehati, ndërsa synon të ndërtojë karrierën te klubi spanjoll.

Të lidhura

None found

“Ai konkurron për një vend në formacion, por është fjala për klubin më të madh. U them të gjithë klientëve të mi se karriera e tyre arrin kulmin kur luajnë një finale të Ligës së Kampionëve me Real Madridin”, u shpreh Veitch.

Sipas tij, pati edhe alternativa të tjera, por statusi i Viniciusit si yll në Madrid dhe lidhja e tij me klubin ndikuan që ai të mos largohej. “Ai donte të qëndronte”, tha Veitch.

“Mund të zgjedhësh një drejtim tjetër, por ai është pjesë e Real Madridit që në moshë të re. Dëshira për të ndërtuar reputacionin dhe për të fituar më shumë trofe me klubin janë arsyet kryesore që e mbajtën aty”, shtoi ai.

Michael Yormack, presidenti i Roc Nation, konfirmoi se Arsenali kishte qenë serioz dhe aktiv në përpjekjen për ta marrë brazilianin.

“E keni parë lajmin: Arsenali u përfshi shumë dhe këmbënguli jashtëzakonisht”, tha Yormack. Megjithatë, sipas tij, “zemra e Viniciusit është në Madrid. Ai gjithmonë ka dashur të jetë aty dhe shpreson të qëndrojë për pjesën tjetër të karrierës. Nuk besoj se kjo është vënë ndonjëherë në dyshim”.

I pyetur nëse Viniciusi e kishte shqyrtuar seriozisht mundësinë për t’u bashkuar me Arsenalin, Yormack u përgjigj se ai e kishte bërë këtë.

“Kur një klub si Arsenali të pret me nderime dhe të bën të ndihesh vërtet i dëshiruar, sigurisht që duhet ta dëgjosh ofertën”, tha ai.

Yormack shtoi se Viniciusi ndodhet aty ku dëshiron dhe se ata janë të kënaqur që ai vazhdon te Real Madridi. “Nuk ndodh shpesh që një lojtar ta nisë dhe ta përfundojë karrierën profesionale në të njëjtin klub”, u shpreh ai.

“Ai e nisi rrugëtimin në moshën 18-vjeçare dhe tani është 26 vjeç. Ka fituar shumë trofe. Të kalosh gjithë karrierën në një klub të vetëm, në klubin më të mirë në botë, do të ishte diçka e veçantë”, përfundoi Yormack.