Një autobus me turistë të huaj ka marrë flakë mesditën e sotme në Qafën e Kalasë në Berat, teksa po ngjitej në drejtim të Kalasë. Autobusi, me targa AB 917 UE, ishte i mbushur me 52 pasagjerë, mes tyre edhe fëmijë.
Sipas të dhënave paraprake, shkëndijat e para janë vërejtur në pjesën e përparme të mjetit, pranë motorit.
Të lidhura
None found
Drejtuesi ka ndaluar menjëherë autobusin dhe pasagjerët kanë mundur të zbresin në kohë, përpara se flakët të përfshinin të gjithë mjetin. Asnjë prej turistëve nuk ka pësuar lëndime.
Pas shkëndijave në pjesën e motorit, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë autobusin. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta zjarrfikëse dhe efektivë të Policisë, të cilët kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Si pasojë e zjarrit, autobusi është shkrumbuar plotësisht. Flakët kanë përfshirë gjithashtu edhe një automjet tip Benz fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese.
Pronari nuk ka mundur ta largojë automjetin në kohë dhe ai është dëmtuar rëndë nga zjarri.
Paraprakisht dyshohet se flakët janë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në motorin e autobusit.
Ndërkohë, drejtuesi i autobusit, Ervis Dyrmani, nga Durrësi, është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
