Ivan Gvozdenoviç nuk do të jetë më trajner i Elbasanit, pasi dha dorëheqjen ditën e djeshme. Klubi e pranoi vendimin dhe e bëri publik përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Humbja 2-1 ndaj Skënderbeut duket se shënoi fundin e aventurës së tij me verdheblutë.
Të lidhura
None found
Shifrat tregojnë se puna e trajnerit serb në krye të skuadrës ka qenë e mirë. Në 76 ndeshje, Elbasani me Gvozdenoviçin në stol regjistroi 30 fitore, 26 barazime dhe 20 humbje. Gjatë sezonit të kaluar, skuadra ishte shumë pranë sigurimit të titullit.
Periudha më e suksesshme e Elbasanit përkoi pikërisht me drejtimin e trajnerit serb, pavarësisht zhurmës së krijuar nga largimet e shumta. Eksodi nisi gjatë verës që lamë pas, kur një pjesë e konsiderueshme e formacionit bazë u largua për të vijuar karrierën në skuadra të tjera.
Për të mbuluar boshllëqet, klubi afroi emra të rinj, por skuadra nuk arriti të gjente stabilitetin që Gvozdenoviç kishte parashikuar në nisje të sezonit. Në këto rrethana, vendimi i tij për të marrë iniciativën dhe për të dhënë dorëheqjen mund të konsiderohet i justifikueshëm.







