Indiana është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas disa ditësh me stuhi të forta dhe reshje të dendura, ndërsa të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në pjesë të ndryshme të shtetit amerikan.
Të lidhura
None found
Ndër viktimat është një fëmijë katërvjeçar. Po ashtu, një çiklist 31-vjeçar vdiq pasi përfundoi në një segment rruge të shembur nga ujërat e përmbytjeve.

Pasojat më të rënda janë raportuar në Indianën qendrore dhe në Indianapolis, ku prurjet e larta kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumenjve. Lumi i Bardhë ka tejkaluar nivele që nuk ishin regjistruar prej më shumë se një shekulli.
Brenda një periudhe prej 48 orësh, në disa zona kanë rënë rreth 28 centimetra reshje, duke përmbytur gjerësisht lagje dhe zona të banuara.

Qindra njerëz janë evakuuar nga banesat e tyre, ndërsa ekipet e emergjencës kanë përdorur varka për të shpëtuar personat e izoluar nga uji. Shumë rrugë janë mbuluar plotësisht, kurse ura, ndërtesa dhe objekte të tjera infrastrukturore kanë pësuar dëmtime të mëdha.
Megjithëse niveli i ujit ka filluar të ulet në disa vende, autoritetet thonë se rreziku mbetet ende i pranishëm. Në Indiana, mbi 106 mijë abonentë vazhdojnë të jenë pa energji elektrike, një shifër më e ulët se gjatë kulmit të stuhive, kur pa energji mbetën rreth 300 mijë abonentë.
Mot i ashpër është regjistruar edhe në shtete të tjera të Midwest-it, mes tyre Illinois, Ohio dhe Kentucky. Tornado, stuhi të fuqishme, erëra të forta dhe përmbytje të menjëhershme kanë shkaktuar dëme në disa zona.

Shpejtësia e erës ka arritur deri në 160 kilometra në orë, duke rrëzuar pemë, dëmtuar ndërtesa dhe shembur linja të furnizimit me energji.
Në Denver, reshjet e dendura të breshërit kanë mbuluar rrugët, të cilat autoritetet janë detyruar t’i pastrojnë me mjete të posaçme.

Guvernatori i Indianës, Mike Brown, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë shtetin. Për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga katastrofa është miratuar gjithashtu ndihmë federale.
Teksa gjendja në Indiana po stabilizohet dalëngadalë, sistemi i motit ekstrem po lëviz në drejtim të lindjes.
Alarmet për përmbytje vijojnë të jenë aktive në disa pjesë të Virxhinias Perëndimore, në juglindje të Ohios dhe në verilindje të Kentucky-t. Reshjet e pritshme mund të sjellin përmbytje të shpejta dhe të rrezikshme.
Autoritetet u kanë kërkuar drejtuesve të automjeteve të shmangin kalimin në rrugët e mbuluara nga uji. Sipas tyre, rrjedhat mund të jenë të fuqishme, ndërsa sipërfaqja e rrugës mund të jetë dëmtuar ose shembur nën ujë.
Në Indiana, ulja e nivelit të ujërave po zbulon gradualisht shkallën e dëmeve. Shërbimet e emergjencës po kalojnë nga ndërhyrjet e menjëhershme te vlerësimi i pasojave dhe rikthimi i banesave, bizneseve, rrugëve dhe infrastrukturës kryesore.
