Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka adresuar një varg kritikash ndaj menaxhimit të sektorit të shëndetësisë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, për shkak të mungesës së barnave për terapi, qindra pacientë me kancer po detyrohen t’i blejnë ato vetë. Zemaj ka theksuar se kjo po ndodh ndonëse për furnizimin me barna janë ndarë miliona euro përmes tenderëve.
“Vazhdimisht kemi theksuar se para ka më shumë, por ekziston një monopol i madh që u sjell fitime të mëdha disa kompanive farmaceutike të lidhura me pushtetin, drejtpërdrejt me drejtues në MSh dhe me ish-vartës të këtij sektori jetik. Ndërkohë, pacientët kanë shumë më pak barna dhe kjo, pa dyshim, rëndon familjet e tyre dhe xhepat e varfër të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka deklaruar se kjo përbën edhe një nga arsyet pse shumica nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit. Sipas Zemajt, ajo nuk dëshiron as mbikëqyrje të mënyrës së menaxhimit dhe as llogaridhënie.
