Presidenti kinez Xi Jinping u ka kërkuar qytetarëve të Kinës të shfaqin një “shpirt luftarak të paepur”, teksa ka përshëndetur vendimin e Partisë Komuniste për të shtypur protestat pro-demokracisë të zhvilluara në sheshin Tiananmen më 1989.
Të lidhura
None found
Këto deklarata Xi i bëri në Pekin, gjatë një ceremonie kushtuar 100-vjetorit të lindjes së ish-udhëheqësit të Kinës, Jiang Zemin.
Duke iu drejtuar mijëra delegatëve dhe zyrtarëve, ai pranoi se vendi ndodhet përballë sfidave të mëdha, por u shpreh se Kina zotëron fuqinë e nevojshme për t’i kapërcyer. “Me një shpirt luftarak të paepur dhe aftësi të jashtëzakonshme, ne do të përballemi në mënyrë aktive me sfida të mëdha”, deklaroi Xi.
Në fjalën e tij, udhëheqësi kinez nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e mbrojtjes së sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës.
Vëmendjen kryesore në këtë fjalim e tërhoqi përmendja e pazakontë nga Xi e protestave të Tiananmenit të vitit 1989. Ai e vlerësoi Jiang Zemin për mënyrën se si mbështeti vendimet e Partisë Komuniste në atë periudhë, kur autoritetet kineze dërguan ushtrinë dhe tanket për të shtypur demonstratat pro-demokracisë në Pekin.
“Shoku Jiang Zemin mbështeti dhe zbatoi me vendosmëri vendimet e sakta të Komitetit Qendror”, u shpreh Xi, duke e cilësuar ndërhyrjen e autoriteteve si një masë që kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit.
Ngjarjet e Tiananmenit vazhdojnë të jenë ndër çështjet politikisht më të ndjeshme në Kinë. Autoritetet kineze vijojnë të kufizojnë debatin publik rreth protestave, si dhe informacionin për numrin e viktimave.
Pas shtypjes së protestave, Jiang Zemin mori menjëherë postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste, duke zëvendësuar Zhao Ziyang, i cili shihej si më dashamirës ndaj protestuesve.
Nën udhëheqjen e Jiang, Kina kaloi një etapë të rëndësishme të zgjerimit ekonomik dhe të hapjes me pjesën tjetër të botës.
Ndër zhvillimet kryesore të asaj kohe ishte pranimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, proces që pati mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
