Për të katërtin vit radhazi, nxënësit në Kosovë do t’i sigurojnë tekstet dhe materialet shkollore përmes skemës së subvencionimit.
Të lidhura
None found
Megjithatë, përvoja e viteve të kaluara ka treguar se paratë e ndara nga Qeveria jo gjithmonë janë përdorur për qëllimin e paraparë.
Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, thotë se raste të tilla janë hasur kryesisht te fëmijët e komuniteteve pakicë. Sipas tij, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, disa familje i kanë përdorur mjetet për nevoja të tjera, ndërsa fëmijët janë kthyer në shkollë pa libra dhe institucionit i është dashur të gjejë zgjidhje për ta.
Një problem tjetër u evidentua gjatë vitit 2025 edhe në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Dokumenti nxori në pah se prindër që nuk i plotësonin kriteret kishin përfituar nga fondet e dedikuara për blerjen e librave shkollorë.
Sipas raportit, shuma e përfituar nga këta aplikues i kalonte 60 mijë euro, ndonëse ata nuk i përmbushnin kushtet e përcaktuara.
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit deklarojnë se për këtë vit janë ndërmarrë masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Drejtoresha e Departamentit për Arsim Parauniversitar në MASHTI bëri të ditur se mekanizmi i subvencionimit është përmirësuar nga viti në vit. Ajo theksoi se, në vitin e katërt të zbatimit të kësaj skeme, verifikimi nga koordinatorët e pamundëson përfitimin e mjeteve nga një nxënës që nuk vijon mësimin në sistemin arsimor, duke shmangur raste të tilla që në fazën e kontrollit.
Vitin e kaluar, procesi u shoqërua edhe me probleme në furnizimin me tekste dhe me vonesa gjatë muajit shtator.
Osmani tregon se në shkollën që drejton munguan tre tituj gjatë atij muaji. Deri në ardhjen e botimeve të reja në treg, ato u zëvendësuan përkohësisht me tituj të vjetër. Ai shpreson që një situatë e tillë të mos përsëritet këtë vit, pasi pasojat, sipas tij, përfundojnë te fëmijët.
Shqetësime për vonesa të mundshme ka shprehur edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaron se mund të ketë vonesa edhe këtë vit, megjithëse shpreson të mos jenë aq të gjata sa në vitet e kaluara, kur shtatori përfundonte pa u pajisur të gjithë nxënësit me libra. Ai përmend gjithashtu si problem mundësinë që jo të gjithë prindërit të kenë xhirollogari, çka do t’i linte disa prej tyre pa rimbursim, pa qenë fajtorë.
MASHTI njofton se po punon që nxënësit t’i kenë tekstet shkollore në dispozicion më 1 shtator.
Për të kufizuar keqpërdorimet, Ministria ka përcaktuar që librat të kthehen të padëmtuar. Në rast se tekstet nuk ruhen në gjendjen e duhur, ato duhet të kompensohen.
