Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin e deputetes së Aleancës, Teuta Haxhiu, që parashikonte ndarjen e 600 mijë eurove për ngritjen e një kompleksi memorial në nderim të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Propozimi mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, duke mos siguruar mbështetjen e nevojshme.
Gjatë prezantimit, Haxhiu theksoi se edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës, nuk ekziston një memorial ku qytetarët mund të vendosin lule për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur.
Të lidhura
None found
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi amendamentin, duke argumentuar se ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Ai shtoi se propozimi vjen në fund të muajit tetor, ndërsa rishikimi buxhetor hyn në fuqi në fillim të nëntorit, duke lënë më pak se dy muaj deri në skadimin e këtij buxheti. Sipas tij, brenda kësaj periudhe është e pamundur të iniciohen procedurat e prokurimit, të shqyrtohen ankesat dhe të nënshkruhet kontrata para datës 31 dhjetor.
Murati gjithashtu kritikoi mënyrën e paraqitjes së amendamentit, duke thënë se kjo çështje duhet të trajtohet institucionalisht dhe jo përmes deklaratave politike. Ai pyeti se çfarë kanë bërë propozuesit gjatë viteve në pushtet, duke e quajtur qasjen jo serioze dhe elektorale.
Në kundërpërgjigje, Haxhiu u shpreh se kërkesa për memorialin nuk është e re dhe se projekte të ngjashme kanë pasur kode buxhetore edhe në qeveritë e mëparshme, përfshirë ato të Hashim Thaçit dhe qeverinë Haradinaj. Ajo theksoi se si nënë dhe gjyshe ndjen ndjeshmëri për këtë çështje dhe se bëhet fjalë për 600 mijë euro.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, kritikoi ministrin Murati për kundërshtimin e amendamenteve të opozitës gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Ai tha se ministri nuk duhet t’u kujtojë vazhdimisht deputetëve se çfarë kanë bërë në qeverisjet e kaluara, por të përqendrohet në përgjegjësitë aktuale. Lushtaku shtoi se ka nevojë për mbështetje më të madhe për pacientët e Kosovës, të cilët po detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit, dhe i konsideroi amendamentet e Ariana Musliu-Shoshi si shumë të nevojshme.
Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, lexoi më pas rekomandimin për miratimin e projektligjit me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional, duke theksuar se amendamentet e tjera nuk morën mbështetjen e anëtarëve.
Komisioni për Buxhet nuk e mbështeti as amendamentin e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për ndarjen e katër milionë eurove për ndërtimin e Qendrës së Kujdesit Paliativ në Kosovë. Edhe ky propozim mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime.
Gjatë prezantimit, Musliu-Shoshi tha se kërkesën për ndërtimin e kësaj qendre e ka paraqitur që nga viti 2019, kur mori mandatin e parë si deputete, dhe se kjo nevojë i është shfaqur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe nga përvoja e saj personale. Ajo theksoi se nevoja për shërbime paliative është e madhe, veçanërisht për familjet që përballen me sëmundje kronike dhe të pashërueshme. Ajo ndau edhe përvojën e saj personale, duke treguar se pas humbjes së prindit u përball me mungesën e shërbimeve të tilla në Kosovë, pasi familja u detyrua ta trajtonte vetë në klinika të qyteteve, përfshirë Qendrën në Prishtinë.
Musliu-Shoshi propozoi që fondet të sigurohen nga Kontigjenca në Ministrinë e Financave me kod 28900 dhe theksoi se vlera prej 4 milionë eurosh, edhe pse e vogël për një ndërtim të tillë, do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për shumë familje që përballen me të sëmurët e tyre në momentet e fundit të jetës. Ajo shtoi se Kosova është i vetmi shtet në rajon dhe në Evropë që nuk ka një qendër paliative.
Në përfundim, Haliti konstatoi se projektligji numër 11L/013 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit numër 10L/009 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 u miratua me gjashtë vota për, katër kundër dhe asnjë abstenim.





