Autoritetet gjyqësore irakiane kanë sekuestruar 20.34 milionë dollarë cash, 60 kilogramë ar dhe shtatë automjete që lidhen me Adnan Al Jumaili, ish-zëvendësministër i naftës për rafinimin.
Të lidhura
None found
Al Jumaili, i cili ka drejtuar edhe Kompaninë e Rafinerive Veriore, u arrestua në maj, pasi ndaj tij nisi një hetim i gjerë për shpërdorim detyre dhe përvetësim të dyshuar në projektet e rafinerive nën mbikëqyrjen e ministrisë. Operacioni ka çuar gjithashtu në pranga zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ligjvënës, ndërsa janë rikuperuar miliona dollarë, ar dhe prona.
Sipas prokurorëve, kontratat dhe fondet e destinuara për modernizimin dhe funksionimin e rafinerive dyshohet se janë devijuar përmes një rrjeti kompanish dhe ndërmjetësish. Sekuestrimet e parave dhe arit në Bagdad e Erbil tregojnë se hetuesit po ndjekin pasuritë që janë transferuar mes Irakut federal dhe Rajonit të Kurdistanit.
Në një tjetër zhvillim, Komisioni i Integritetit Kundër Korrupsionit në Irak bëri të ditur se kishte gjetur rreth 5.84 milionë dollarë dhe 1.175 miliardë dinarë irakianë, të barasvlershme me rreth 770,000 dollarë, së bashku me ar, në banesën e Khalid Khazaie Attiyah. Ky i fundit, zëvendësministër i energjisë elektrike për transport dhe shpërndarje, u arrestua të premten.
Fushata kundër korrupsionit ka sjellë deri tani sekuestrimin e më shumë se 26 milionë dollarëve në para të gatshme, mbi 60 kilogramëve ar dhe pasurive të tjera të lidhura me zyrtarë qeveritarë.
Ministria e naftës nuk ka dhënë ende një reagim për sekuestrimet e fundit. Al Jumaili, i larguar nga detyra pasi akuzat për korrupsion ndaj tij u bënë publike, ndodhet ende në paraburgim në pritje të gjykimit.
Zhvillimet janë pjesë e përpjekjeve të qeverisë së Kryeministrit Ali Al Zaidi për ta intensifikuar luftën kundër korrupsionit. Qeveria e ka cilësuar këtë fushatë si të domosdoshme për rikthimin e besimit të publikut dhe mbrojtjen e financave shtetërore përpara afateve të rëndësishme të sigurisë dhe ekonomisë.
Që prej marrjes së detyrës në maj, Al-Zaidi ka urdhëruar arrestime dhe sekuestrime të disa zyrtarëve të profilit të lartë në ministritë e naftës, energjisë elektrike dhe dikastere të tjera.
Ekzekutivi e ka paraqitur këtë aksion si një tregues të forcimit të autoritetit shtetëror, veçanërisht në sektorë ku për një kohë të gjatë kanë pasur ndikim partitë politike dhe rrjetet e fuqishme financiare.
