Një Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare, pasi u konstatua duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë dhe duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Drejtuesi i mjetit u ndëshkua me gjobë prej 300 mijë lekësh të rinj.
Rasti u evidentua gjatë patrullimeve në Plazhin e Hidrovorit, në zonën e Zvërnecit. Efektivët e Policisë Kufitare, së bashku me Njësinë Policore Detare, konstatuan se mjeti lundrues kishte depërtuar në hapësirën e përcaktuar për larjen e pushuesve.
Të lidhura
None found
Në përfundim të verifikimeve, autoritetet sekuestruan Jet Ski-n dhe vendosën masë administrative prej 300 mijë lekësh të rinj ndaj poseduesit të tij, shtetasit me inicialet A. V., në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia Kufitare bëri të ditur se patrullimet dhe kontrollet intensive do të vazhdojnë përgjatë vijës bregdetare, me synim mbrojtjen e pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
