Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot në kuadër të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të reja.
Të lidhura
None found
Bëhet fjalë për takimin e dytë që zhvillohet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, si dhe për takimin e parë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Abdixhikut nga delegatët e partisë së tij, të cilit ai i mbijetoi.
Për mundësinë e zhvillimit të bisedimeve më të avancuara mes LVV-së dhe LDK-së ka folur edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Gjatë së hënës, Konjufca tha se para seancës konstituive të Kuvendit, e paraparë të mbahet të enjten, mund të ketë takime të tjera për formimin e institucioneve.
“Pres që në ditët në vijim, madje edhe para seancës, të zhvillohen takime të tjera politike mes partive, me synimin për ta zgjidhur situatën aktuale dhe për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja”, deklaroi ai.
Nënkryetari i LVV-së bëri të ditur gjithashtu se pret që Lëvizja Vetëvendosje t’ia dërgojë në ditët e ardhshme ftesën Lidhjes Demokratike të Kosovës për bisedime.
“Pikërisht për këtë arsye u caktua 6 gushti dhe pres që në ditët në vijim t’i dërgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që të bisedojmë për këtë mundësi”, u shpreh Konjufca.
I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit krijimi i institucioneve të tjera do të përfundojë shpejt, ai tha se është shumë optimist për arritjen e një marrëveshjeje me LDK-në lidhur me të gjitha postet e larta.
“Ka shpresa edhe për postin e Presidentit. Do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu siç e ka shpjeguar edhe kryeministri, dhe më pas do të shohim se cili do të jetë epilogu i këtij procesi”, tha ai.
Konjufca shtoi se edhe nga LDK-ja është bërë e qartë, përmes Kryesisë së saj, gatishmëria për të biseduar me LVV-në.
“Pasi kjo të ndodhë, jam shumë optimist se do të arrijmë një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Besoj se do të gjendet një zgjidhje”, deklaroi ai.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte thënë pak ditë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit se deputetët e partisë së tij, gjithsej 18 të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, mund të votojnë në mënyrë të unifikuar nëse LVV-ja, si fituese e parë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, do t’ia ofronte LDK-së postin e presidentit përmes një marrëveshjeje të mundshme.
Sipas Hazirit, votat e deputetëve të LDK-së do të mund të bashkoheshin vetëm nëse kandidati për president do të vinte nga radhët e kësaj partie dhe jo jashtë saj.
“Nëse emri do të ishte Lumir Abdixhiku, kryetari i partisë, ose emri im, atëherë do të mund të unifikoheshim. Për shkak të detyrës zyrtare, i pari do të ishte Lumiri, pasi është kryetar i partisë. Pas tij, brenda LDK-së, unë kam konsensusin më të madh”, deklaronte Haziri.

A do të zgjidhet presidenti ose presidentja e re nga radhët e LDK-së?
Analisti Nexhmedin Spahiu e interpreton deklaratën e Glauk Konjufcës si pjesë të një faze normale të negociatave mes dy partive, ku secila palë synon të forcojë pozicionin e saj përpara një marrëveshjeje.
“Tash përpiqen me ia ulur pazarin njëri-tjetrit”, tha Spahiu për “Bota sot”, duke vlerësuar se LVV-ja dhe LDK-ja kanë hyrë në një etapë më konkrete të bisedimeve, ku po matet gatishmëria e tyre për kompromis.
Spahiu thekson se deklarata e Lutfi Hazirit për votimin e përbashkët të deputetëve të LDK-së vetëm për një kandidat të kësaj partie nuk nënkupton medoemos se presidenti i ardhshëm do të jetë nga LDK-ja. Sipas tij, kjo tregon përpjekjen e partisë për ta shfrytëzuar peshën e saj parlamentare dhe për të siguruar ndikim sa më të madh në proces.
Ai vlerëson se LDK-ja po përpiqet ta përdorë postin e presidentit si mjet politik për ta forcuar pozitën pas zgjedhjeve, ndërsa LVV-ja synon ta mbajë nën kontroll procesin pa bërë lëshime të rëndësishme.
Duke krahasuar deklaratat më të ashpra të Hazirit pas zgjedhjeve me qasjen më pajtuese të Konjufcës, analisti sheh një ndryshim të dukshëm në sjelljen politike të palëve.
Sipas Spahiut, pas zgjedhjeve të dyja partitë kishin nevojë të konsolidonin elektoratin e tyre, ndaj përdorën një gjuhë më të fortë. Tani, me afrimin e afateve kushtetuese dhe rritjen e presionit për zhbllokimin e institucioneve, retorika është zbutur dhe është krijuar më shumë hapësirë për negociata të thelluara.
Për sa u përket emrave të mundshëm nga LDK-ja, Spahiu mendon se më shumë mundësi për të marrë konsensus do të kishte një figurë me përvojë institucionale dhe me një profil më pak përçarës brenda skenës politike.
Ai përmend Lutfi Hazirin dhe figura të tjera të njohura të LDK-së si emra që mund të diskutohen, por nënvizon se vendimi përfundimtar do të varet nga gatishmëria e LVV-së për ta pranuar një kandidat të tillë, si dhe nga aftësia e LDK-së për ta mbajtur të bashkuar grupin e saj parlamentar.
Një marrëveshje LVV–LDK për postin e presidentit, sipas Spahiut, do të kishte ndikim të madh edhe në raport me partitë e tjera opozitare.
Ai konsideron se një pakt i tillë do të sinjalizonte krijimin e një boshti të ri bashkëpunimi mes dy partive më të mëdha shqiptare dhe do t’i linte PDK-në e AAK-në në një rol më periferik në proceset e vendimmarrjes.
Njëkohësisht, marrëveshja do të mund të shihej si shenjë e stabilitetit institucional dhe e përgjegjësisë politike, sidomos në një kohë kur vendi ka nevojë për funksionalizimin e institucioneve dhe kur partnerët ndërkombëtarë presin më shumë konsensus politik.

Ofertat e mundshme, posti i presidentit dhe zgjedhjet e reja
Analisti Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për ofertat që Albin Kurti mund t’ia bëjë Lumir Abdixhikut.
Sipas burimeve të tij, Haziri thotë se Kurti ka një qëndrim të prerë për zgjedhjen e presidentit.
“Pavarësisht deklaratave të z. Konjufca apo të z. Haziri, Kurti do t’i ofrojë LDK-së vetëm 3-4 ministri dhe, eventualisht, postin e kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që kjo parti të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar. Për Kurtin, kjo do të ishte një partnere pa fuqi politike dhe që nuk do t’i krijonte vështirësi gjatë qeverisjes së tij.
Duke pasur parasysh edhe situatën e brendshme në LDK, ku z. Abdixhiku kontrollon vetëm 9 deputetë, ai do të mund të largohej nga koalicioni në çdo moment kur Kurti do ta shihte të nevojshme, pa e rrezikuar shumicën parlamentare.
Megjithatë, çështja kryesore mbetet zgjedhja e presidentit ose presidentes së vendit. Sipas burimeve të mia, Kurti është i vendosur që ky post t’i takojë atij dhe se edhe një marrëveshje koalicioni me LDK-në nuk do ta garantonte zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
Deri tani nuk kemi parë, e as nuk është shprehur, ndonjë gatishmëri nga z. Kurti që posti i presidentit ose presidentes t’i takojë një partie tjetër apo partnerit eventual të koalicionit, që mund të jetë LDK-ja.
Prandaj, në këtë aspekt, z. Abdixhikut do t’i mjaftonin disa ministri dhe pjesëmarrja në borde, më shumë për t’i qetësuar mbështetësit e tij dhe për të vazhduar betejën e brendshme në LDK kundër rivalëve partiakë”, u shpreh Haziri.
Haziri thotë se LDK-ja nuk e ka fuqinë e mjaftueshme për ta përmbyllur vetë çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa paralajmëron se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Edhe z. Kurti është i vetëdijshëm se LDK-ja nuk mjafton për t’i dhënë epilog procesit të zgjedhjes së presidentit ose presidentes. Nëse ai dëshiron t’i krijojë vendit institucione të reja dhe ta nxjerrë atë nga kriza politike e institucionale, ekziston vetëm një rrugë: një marrëveshje kompromisi me të gjitha subjektet politike, në mënyrë që presidenti të propozohet nga partitë opozitare.
Çdo përpjekje tjetër nuk do të prodhojë rezultat, ashtu siç nuk do të sjellë zgjidhje as takimi i sotëm mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Me gjasë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, me një LDK të fragmentuar, çka do të ishte në favor të LVV-së. Nuk besoj se Kurti nuk do ta shfrytëzojë këtë momentum, i cili mund t’i rrisë përqindjen e votave”, përfundoi Haziri.
