Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ligji që përcakton funksionimin e Dhomave të Specializuara u rikthye në fokusin e debatit publik në Kosovë.
Të lidhura
None found
Pas tri javësh diskutimesh dhe protestash, Kuvendi i Kosovës miratoi të martën, në lexim të dytë dhe me shumicë votash, ndryshimet në këtë ligj.
Ndryshimet nuk e shfuqizojnë Specialen, por prekin disa nga shtyllat kryesore të funksionimit të saj, përfshirë juridiksionin, periudhën kohore, masën e dënimeve, vendin e vuajtjes së burgimit dhe trajtimin e rasteve që mund të mos jenë më në kompetencën e saj.
Sipas ligjit të ndryshuar, kompetencat e Dhomave të Specializuara synohet të lidhen më drejtpërdrejt me pretendimet e raportit të Dick Martyt për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore. Këto akuza ishin ndër arsyet mbi të cilat u krijua gjykata, por nuk u përmendën më gjatë procesit gjyqësor.
Një tjetër ndryshim lidhet me periudhën që mbulohet nga juridiksioni kohor i Speciales.
Periudha e përcaktuar më parë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000 zëvendësohet me intervalin nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo do të thotë se ngjarjet e ndodhura para 1 korrikut 1999 nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin kohor të Dhomave të Specializuara.
Ndryshime janë bërë edhe në lidhje me dënimet. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 vjet. Megjithatë, neni 44, paragrafi 1, i ligjit nr. 05/L-053 e kufizon në 15 vjet burgim dënimin maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara, çka do të sillte uljen e menjëhershme të dënimeve për ta.
Ligji i ri parashikon gjithashtu që personat e dënuar nga Specialja të kenë mundësi ta vuajnë dënimin në institucionet korrektuese të Kosovës. Nëse aktgjykimi konfirmohet në apel, ata do të ktheheshin në Kosovë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Ndërkaq, sipas nenit 51, personat me aktgjykim të formës së prerë mund të bëhen subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në përputhje me procedurat përkatëse.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të vijojë në shkallën e Apelit.
Megjithatë, në rast se pas përfundimit të procedurave të apelit një çështje nuk do të jetë më pjesë e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, ajo do të transferohej në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Mjetet e tjera juridike do të shqyrtoheshin nga gjykatat e Kosovës, përfshirë Gjykatën Supreme.
Kështu, nëse Apeli nuk e ndryshon vendimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dhe çështja kalon në shkallën e tretë, ajo nuk do të trajtohej më në Hagë, por nga Gjykata Supreme e Kosovës.
RTK kërkoi një qëndrim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për ndryshimet e miratuara në ligjin që rregullon punën e saj dhe të Dhomave të Specializuara. Përgjigjja e këtij institucioni ishte e shkurtër.
“Faleminderit për komunikimin tuaj. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka koment”, thuhej në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Pyetje lidhur me këtë çështje iu drejtuan edhe Dhomave të Specializuara.
“Për momentin nuk kemi asnjë koment. Dhomat e Specializuara janë tërësisht të përqendruara në përmbushjen e mandatit të tyre për të siguruar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, thuhej në përgjigjen e tyre.
Aktualisht, në Hagë ndodhen me aktgjykime dënuese Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa.




