Një burrë 38-vjeçar është vënë në pranga pranë fushës së golfit që i përket Presidentit amerikan Donald Trump në Rancho Palos Verdes, Kaliforni, vetëm pak ditë para se kreu i Shtëpisë së Bardhë të merrte pjesë në një darkë për grumbullim fondesh të Partisë Republikane.
Të lidhura
None found
Sipas zyrtarëve, i dyshuari u kap me armë dhe fishekë të paligjshëm, ndërsa hetimet vijojnë ende.
Departamenti i Sherifit të Los Anxhelosit njoftoi se Jeanine John Taele ishte vërejtur teksa shëtiste në terrenin e golfit, duke fotografuar dhe filmuar, dhe dukej se mbikëqyrte masat e sigurisë. Ai u arrestua të dielën pas sinjalizimit të agjentëve federalë të veshur civilë.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi se Taele ishte i shpallur në kërkim edhe për një rast grabitjeje që po hetohet nga Departamenti i Policisë së El Segundo.
Në posedim të tij ndodhej një karikator me 16 fishekë të ndaluar, ndërsa brenda makinës së tij u gjet një pistoletë e mbushur dhe municione të tjera. Aktualisht ai përballet me akuza për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të municioneve të paligjshme.
Të nesërmen, agjentët e FBI-së dhe të Task Forcës së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e tij në Downey, ku sekuestruan një pushkë të tipit AR të modifikuar ilegalisht, një pistoletë kalibri .45, jelekë antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi të konsiderueshme municionesh dhe fletore me përmbajtje që autoritetet e cilësuan shqetësuese.
Hetimi po kryhet në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të SHBA-së dhe zyrtarët nuk përjashtojnë mundësinë e akuzave shtesë. Megjithatë, ata theksuan se deri tani nuk është identifikuar ndonjë kërcënim i besueshëm për komunitetin dhe nuk ka prova që i dyshuari të kishte planifikuar një sulm ndaj Presidentit Trump.
Arrestimi ndodhi në prag të vizitës së Trumpit në Kaliforni, ku ai pritet të marrë pjesë në një aktivitet për mbledhje fondesh dhe më pas të udhëtojë drejt Las Vegasit. Kjo vizitë zhvillohet në një periudhë kur aktiviteti politik po intensifikohet përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara.
