Tetë prej kompanive më të mëdha të industrisë globale të naftës kanë deklaruar fitime që i afrohen 93 miliardë dollarëve vetëm gjatë periudhës prill-qershor. Të ardhurat e tyre u nxitën nga rritja e çmimeve të energjisë pas luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, në një kohë kur bota po përjetonte gjithashtu pasoja të rënda të krizës klimatike.
Të lidhura
None found
Një analizë e publikuar nga “The Guardian” tregon se Saudi Aramco, Shell, BP, ExxonMobil, Chevron, TotalEnergies, Equinor dhe Eni përfituan ndjeshëm nga shtrenjtimi i naftës. Së bashku, këto kompani siguruan mesatarisht më shumë se 700 mijë dollarë çdo minutë gjatë tremujorit të dytë.
Rezultatin më të lartë financiar e regjistroi Saudi Aramco, me mbi 33 miliardë dollarë fitime. Ndërkohë, BP raportoi 5.73 miliardë dollarë, shifra më e lartë për kompaninë që nga viti 2022. Rritje të konsiderueshme të fitimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, deklaruan edhe Shell, Chevron dhe ExxonMobil.
Vlera e kombinuar në treg e këtyre tetë kompanive u shtua me rreth 600 miliardë dollarë, duke e çuar kapitalizimin e tyre përtej nivelit prej 3 trilionë dollarësh.
Organizatat mjedisore e kanë dënuar këtë situatë, duke pretenduar se industria e naftës po “përfiton nga mjerimi njerëzor”. Sipas tyre, miliona familje po përballen me kosto më të larta të energjisë, ndërsa zjarret, thatësirat dhe temperaturat ekstreme po rëndojnë pasojat mbi komunitetet në shumë vende.
Shkencëtarët paralajmërojnë se vera e këtij viti ka sjellë në Evropë valët më të rënda të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Ato lidhen drejtpërdrejt me ngrohjen globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Vetëm në Evropë, temperaturat e skajshme vlerësohet se kanë shkaktuar rreth 20 mijë viktima, ndërsa thatësirat, zjarret dhe përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa kontinente.
Aktivistët për klimën kërkojnë që fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës të tatohen më shumë. Sipas tyre, të ardhurat nga këto taksa duhet të përdoren për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
