Dy shtetas të Republikës së Kosovës, të moshave 30 dhe 44 vjeç, janë vënë në pranga në Shkup pasi dyshohen për veprën penale “falsifikim parash”.
Të lidhura
None found
Arrestimi i F.R. (30) dhe T.T. (44) u krye më 03.08.2026 nga zyrtarët e Njësisë së Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup.
Sipas MPB-së, gjatë kontrollit të automjetit të tipit “Golf”, me të cilin udhëtonin dy personat, u zbuluan kartëmonedha në euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe funta britanike, në prerje të ndryshme. Vlera e përgjithshme e parave të gjetura llogaritet në rreth 230 mijë euro.
Shuma është konfiskuar, ndërsa të arrestuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendër për veprime të mëtejshme. MPB-ja njoftoi se, pasi çështja të dokumentohet dhe në bashkërendim me prokurorin publik, do të paraqitet kallëzimi përkatës për veprën e parashikuar në nenin 268 të Kodit Penal.
