ASH kërkon transparencë për vaksinat BCG: Shëndeti i fëmijëve nuk është vend për eksperimente

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se informacionet rreth vaksinave BCG kanë ngritur shqetësime të mëdha dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe VLEN.

Të lidhura

None found

Sipas ASH-së, dy lotet e vaksinës BCG, për të cilat në Kroaci janë shfaqur dyshime pas rasteve të osteomielitit te katër fëmijë, në Maqedoninë e Veriut tashmë janë përdorur. Afati i përdorimit të tyre ka përfunduar në qershor, ndërsa pas alarmit të ardhur nga Kroacia është ndalur përdorimi i vaksinës së prodhuesit bullgar. Procesi i imunizimit do të vijojë me vaksina të një prodhuesi japonez.

Kjo situatë, sipas tyre, kërkon përgjigje për disa çështje thelbësore: sa fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me këto dy lote dhe nëse ata janë mbikëqyrur apo i janë nënshtruar kontrolleve të posaçme pas njoftimeve nga Kroacia.

ASH pyet gjithashtu përse publiku u informua vetëm pasi shqetësimi u bë i ditur në një shtet tjetër.

Partia thekson se deklarata se deri tani nuk janë konstatuar reaksione të padëshiruara nuk mjafton. Ministria e Shëndetësisë, sipas saj, duhet të bëjë publike të gjitha të dhënat, përfshirë numrin e fëmijëve të vaksinuar me këto lote, rezultatet e kontrolleve dhe analizave, si dhe masat e marra pas ngritjes së dyshimeve.

“VLEN duhet ta kuptojë se Ministria e Shëndetësisë nuk është vend për improvizime dhe reagime të vonuara. Kur bëhet fjalë për shëndetin e të porsalindurve, institucionet duhet të reagojnë me kohë, me transparencë dhe me përgjegjësi të plotë”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

ASH kërkon transparencë të menjëhershme dhe përgjigje konkrete, duke nënvizuar se shëndeti i fëmijëve nuk mund të trajtohet përmes heshtjes ose sqarimeve të dhëna vetëm pasi çështja të bëhet publike./Telegrafi/


Shtuar më 8.10.2026 14:20