Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë edhe pesë vjet kohë për të përmbushur masat e kërkuara për mbrojtjen e Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit. Me këtë vendim, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s shmangu për momentin futjen e zonës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Të lidhura
None found
Megjithatë, UNESCO nënvizon se procesi i degradimit të vlerave të jashtëzakonshme universale të rajonit vazhdon dhe nuk është ndalur.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore e mori vendimin në sesionin e tij të 48-të, pasi shqyrtoi raportin për gjendjen e ruajtjes së Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit.
Inxhinieri dhe ambientalisti Arian Merolli vlerëson se entuziazmi i treguar nga zëvendëskryeministri në mbledhjen online të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, pasi Rajoni i Ohrit nuk u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, ishte i gabuar.
Merolli shprehet: “Zëvendëskryeministri ishte shumë i gëzuar që Rajoni i Ohrit nuk u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Mua kjo më habiti, sepse do të ishte më mirë të ishte futur në atë listë. Kjo do të rriste presionin e UNESCO-s dhe të institucioneve ndërkombëtare mbi qeverinë për të marrë masa konkrete për mbrojtjen e rajonit”.
Ai paralajmëron se, pa vullnet politik, periudha pesëvjeçare e përcaktuar nga UNESCO mund të përfundojë pa rezultate.
“Pas pesë vitesh kjo qeveri mund të mos jetë më në pushtet dhe mund të thotë: ‘Punë e madhe, nuk jemi më ne’. Prandaj nuk i shqetëson fakti që u dha një afat pesëvjeçar. Shqetësimi im është nëse ata e dinë çfarë duhet të bëjnë gjatë këtyre pesë viteve. Unë besoj se nuk e dinë”, vijon Merolli.
Sipas inxhinierit Arian Merolli, strategjia e përgatitur me kërkesën e UNESCO-s për menaxhimin dhe rivitalizimin e Liqenit të Ohrit duhet të plotësohet nga një plan i hollësishëm zbatimi, ku të përcaktohen afatet dhe buxhetet. Ai vëren se Maqedonia e Veriut ka ecur më tej në këtë proces, pasi e ka kaluar strategjinë në mbledhjen e qeverisë dhe ka ngritur një grup ndërinstitucional që do të merret me zbatimin e saj. Në këtë drejtim, Shqipëria vazhdon të mbetet prapa.
