Zhvillimet në Ceuta e kanë vendosur sërish çështjen e emigracionit mes prioriteteve të agjendës evropiane.
Të lidhura
None found
Greqia ka kërkuar nisjen e diskutimeve brenda BE-së për ngritjen e një mekanizmi të përhershëm, i cili, në situata të jashtëzakonshme dhe në respekt të së drejtës evropiane e ndërkombëtare, do të mundësonte ndërprerjen përkohësisht të procedurave të azilit dhe kthimin e menjëhershëm të personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme. Kështu raporton nga Greqia korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku.
Nisma e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis u prezantua sot nga ministri grek i Emigracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, në mbledhjen e jashtëzakonshme të zhvilluar përmes videokonferencës mes ministrave të Brendshëm dhe të Emigracionit të vendeve anëtare të BE-së.
Plevris deklaroi se propozimi mbështetet si në përvojën e përballimit të krizës së Evrosit nga Greqia në vitin 2020, ashtu edhe në ngjarjet e fundit në Ceuta. Ai sqaroi se synimi është të mbrohet BE-ja nga përdorimi i flukseve migratore si instrument, duke respektuar njëkohësisht vlerat themelore evropiane.
Duke shprehur mbështetjen e Greqisë për Spanjën, ministri argumentoi se një mekanizëm i tillë evropian duhet të aktivizohet në rrethana të jashtëzakonshme, kur regjistrohen mbërritje masive emigrantësh. Sipas tij, ai duhet të lejojë ndalimin e përkohshëm të shqyrtimit të kërkesave për azil dhe kthimin e personave që kanë hyrë ilegalisht, me qëllim mbrojtjen e sistemit evropian të azilit.
Ministri grek bëri thirrje edhe për shtimin e masave mbrojtëse në kufijtë e jashtëm të BE-së, fuqizimin e rolit të Frontex-it dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e treta. Ai nënvizoi se bashkëpunimi efikas mund të ndikojë në reduktimin e ndjeshëm të flukseve migratore.
Në mbështetje të këtij qëndrimi, Plevris solli shembullin e ishujve të Egjeut, ku, sipas tij, numri i mbërritjeve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 është ulur me mbi 60%.
Të dhënat më të fundit të UNHCR-së tregojnë se deri në fund të korrikut 2026 në territorin grek kanë mbërritur 23.001 migrantë dhe refugjatë. Prej tyre, 18.569 kanë hyrë përmes rrugëve detare, ndërsa 4.432 kanë kaluar kufirin tokësor. Numrat mbeten ndjeshëm më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur Greqia priti mbi 860 mijë persona.
Gjatë këtij viti, rritja më e madhe është shënuar në itinerarin që nis nga Libia dhe përfundon në Kretë e Gavdos, tashmë pika kryesore e hyrjes në Greqi. Në këto dy zona u regjistruan 8.552 mbërritje vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
