Piloti britanik Andrew Hutchinson i mbijetoi një aksidenti dramatik gjatë operacioneve kundër zjarreve në Greqi, pasi helikopteri që drejtonte u rrëzua në një sipërfaqe pyjore dhe më pas shpërtheu në flakë.
Të lidhura
None found
48-vjeçari ishte një prej personave që shpëtuan nga përplasja e dy helikopterëve, e ndodhur rreth 65 kilometra në perëndim të Athinës. Nga aksidenti humbën jetën një pilot danez dhe një oficer ndërlidhës i Shërbimit grek të Zjarrfikësve.
Vetëm pak sekonda përpara se mjeti fluturues të përfshihej nga flakët, Hutchinson dhe oficeri grek i zjarrfikësve që e shoqëronte arritën të dilnin prej tij, sipas rrëfimit të familjarëve.
Xhaxhai i pilotit, Michael Hutchinson, tha për The Times se mënyra se si nipi i tij i shpëtoi tragjedisë ishte “e mrekullueshme”.
“Përplasja në pyll ishte e fortë, por ai arriti të dilte në momentin e fundit. Telefoni iu dogj plotësisht, pasi mbeti brenda helikopterit. Ai dhe oficeri që ndodhej me të dolën vetëm pak çaste përpara shpërthimit”, tregoi Michael Hutchinson.
Andrew Hutchinson, i cili është baba i tre fëmijëve, po merr trajtim në një spital të Athinës. Piloti me përvojë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në shpinë.
Bashkëshortja e tij, Dawn, së bashku me tre fëmijët, ka udhëtuar drejt kryeqytetit grek për t’i qëndruar pranë gjatë periudhës së rikuperimit.
Hutchinson punon si zjarrfikës ajror dhe zotëron një kompani helikopterësh në Northallerton, Yorkshire. Ai kishte shkuar në Greqi për të kontribuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve të mëdha që kanë përfshirë vendin.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai është angazhuar në operacione ajrore të specializuara në vende të ndryshme të botës, përfshirë misione zjarrfikëse, ndërtimi dhe shpëtimi. Së fundmi kishte ndihmuar në përballimin e zjarreve në Uells, ndërsa punonte rregullisht edhe në Australi.
Duke folur për përvojën dhe kujdesin e tij gjatë fluturimit, Michael Hutchinson solli në kujtesë një rast kur nipi po praktikonte autorotacionin, teknikën e uljes së helikopterit pa fuqinë e motorit.
“Një herë ndodhesha me të ndërsa po mësonte autorotacionin, pra si të ulte helikopterin pa fuqinë e motorit. Më tha: ‘Do ta fik motorin’. Unë u frikësova, por ai e uli helikopterin në mënyrë të përkryer. Fluturon prej shumë vitesh dhe është një pilot jashtëzakonisht i kujdesshëm”, u shpreh xhaxhai.
Shërbimi Grek i Zjarrfikësve bëri të ditur se të dy helikopterët ishin marrë me qira nga kompania australiane McDermott Aviation. Në momentin e aksidentit, ata po angazhoheshin për shuarjen e një zjarri të madh në kufirin ndërmjet rajoneve të Atikës dhe Beotisë.
Pavarësisht asaj që ndodhi, familja beson se Hutchinson nuk do të heqë dorë nga pilotimi. “Jo, ai nuk do të ndalet. Asgjë nuk do ta pengojë të fluturojë përsëri”, deklaroi xhaxhai i tij.
