Me një dekret, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka liruar nga detyra ambasadoren ukrainase në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna. Ky vendim pritej pas riorganizimit të Qeverisë ukrainase gjatë muajit të kaluar.
Të lidhura
None found
Largimi i saj vjen ndërsa Kievi po shton presionin ndaj Uashingtonit për furnizimin me më shumë raketa të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat synohen të përdoren për frenimin e sulmeve ruse.
Stefanishyna, e cila më parë ka shërbyer si zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, ishte caktuar ambasadore në Uashington në korrik të vitit të kaluar.
Për Ukrainën, posti i ambasadorit në SHBA ka rëndësi vendimtare, pasi vendi mbështetet te armët amerikane dhe shkëmbimi i inteligjencës në luftën kundër Rusisë. Marrëdhëniet e Zelenskyt me presidentin amerikan, Donald Trump, kanë kaluar periudha tensioni dhe herë pas here janë karakterizuar nga trazira.
Kohët e fundit, megjithatë, presidenti republikan ka mbajtur një qëndrim më inkurajues ndaj udhëheqësit ukrainas. Mediat në Ukrainë raportojnë se Stefanishyna po hetohet nga agjencia ukrainase kundër korrupsionit për dyshime që lidhen me korrupsionin, por ndaj saj nuk është paraqitur zyrtarisht asnjë aktakuzë.
Pas ndryshimeve që ndërmori në Qeveri në korrik, Zelensky nuk ka bërë ende të ditur emrin e personit që do të pasojë Stefanishynan në postin e ambasadores në Uashington.
